16 vjetori i dëshmorit të kombit, Mujdin Aliut

14.04.2015 21:42

Sot, në fshatin Poroj të Komunës së Tetovës u përkujtua 16 vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit, Mujdin Aliut, i cili ra dëshmor në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në betejën e koshares së Gjakovës (Kosovë), më 14 prill të vitit 1999, duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës...

“Ne vazhduam punën për përgatitje në luftën e 2001-tës dhe vendosëm emrin e këtij luftëtari, duke besuar se e meriton të ngrihet në nivele sa më të larta, andaj për të nderuar dëshmorin, Mujdin Aliun, ju ftoj me një minutë heshtje”- deklaroi ish komandanti i Brigadës “112 Mujdin Aliu’’, Hazbi Lika.

“Në emër të USHT-së, ju shpreh ngushëllime familjarëve, lavdi gjithë dëshmorëve të rënë për atdheun... Vepra më e madhe e dëshmorëve është USHT, falë kontributit të tyre dhe gjakut të tyre dhe idealeve të tyre që ne sot frymojmë lirshëm, që ne sot e kemi universitetin tonë, ku në atë universitet studiojnë mbi 16 mijë studentë, ku ata e ngritën dhe e kultivojnë vlerën  e tyre të idealeve”- tha rektori i USHT-së, Vullnet Ameti. 

“Dëshiroj që këtu pikërisht të përkujtoj një fakt të rëndësishëm për të cilin përkujdesemi ne si komunë. Tanimë dy vjet Komuna e Tetovës përkujdeset për 38 gra të dëshmorëve, unë personalisht dhe të gjithë ne jemi angazhuar që të jenë të përkujdesur, ashtu që asnjë grua dëshmori të mos jetë në situatë që të kërkojë për veten e vet”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Nga viti 1999-2001, kombi ynë në piedestalin më të lartë të dinjitetit dhe njëkohësisht të përkushtimit e bëri atdheun e të parëve. Pavarësisht se ku ndodhemi, ne e kemi bërë një herë e përgjithmonë shqiptarinë, ilirinë, dardaninë e kështu me radhë. Copash apo të ndarë, ne jemi një të pandarë”- u shpreh Fazli Veliu nga OVL.

Në 16 vjetorin e rënies së dëshmorit, Mujdin Aliut, ishin të pranishëm shumë funksionarë, qytetarë, bashkëluftëtarë të tij, qytetarë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, duke nderuar në këtë mënyrë dëshmorin e kombit dhe krenarinë tetovare, Mujdin Aliun. (Visar Sadiki, TVM2)