Maqedoni

Kuvend, seancë e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime

04.06.2024 14:20

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ka pranuar propozimet për përbërjen e Komisionit për Sistem Politik dhe Komisionit Juridiko-Ligjvënës....

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ka pranuar propozimet për përbërjen e Komisionit për Sistem Politik dhe Komisionit Juridiko-Ligjvënës. Kryetar i Komisionit për Sistemin Politik u caktua Lupço Prenxhov, ndërsa zëvendës i tij, Jovan Jaulevski. Në krye të komisionit juridiko – ligjvënës do të jetë Aleksandar Veljanovski dhe zëvendës i tij, Boban Nikolovski. Këto dy komisione janë të domosdoshme për ligjin me të cilin do të bëhet riorganizimi i Qeverisë së ardhshme. Anëtarët e Komisionit po ashtu pranuan kërkesën e ish-presidentit, Stevo Pendarovski, për suspendim të së drejtës për pension që ai e kishte dorëzuar në Kuvend më 15 maj.  

“Me 11 pro, konstatoj se me këtë është miratuar kërkesa e ish-presidentit të RMV-së, Stevo Pendarovski, që të suspendohet e drejta e pensionit pas mbarimit të funksionit president i shtetit.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Gjorgjia Sajkoski. 
 
29 deputetë të përbërjes parlamentare 2020-2024 kanë kërkuar apanazh, pra kompensim në vlerë të pagës së deputetit që duhet ta paguajë Kuvendi, përkatësisht institucioni në të cilin personi e mbante detyrën. Kundër kërkesës për apanazh ishte vetëm deputeti i “Së Majtës”, Borislav Kërmov. Kryetari i Komisionit, Sajkoski, informoi se janë dorëzuar edhe kërkesa tjera, por ato janë në shqyrtim. Afati për paraqitjen e kërkesave për apanazh ende nuk ka përfunduar. 
 
Sipas informacioneve nga Kuvendi, 57 deputetë të përbërjes së mëparshme kanë të drejtë apanazhi, pasi nuk janë pjesë e përbërjes së re. Afati për paraqitjen e kërkesave për apanazh ka filluar në ditën e verifikimit të mandateve të deputetëve të përbërjes së re parlamentare 2024-2028 dhe përfundon për 30 ditë, pra më 28 qershor. Në mesin e atyre që kanë kërkuar apanazh është Miroslav Jovanoviq dhe ai do të marrë kompensim në vlerë të pagës së deputetit vetëm për dy muaj deri në të drejtën e pensionit, Abdullah Saliu për gjashtë muaj, derisa të dalë në  pension dhe Ramzi Mehmedi – nëntë muaj. Kryetari i Komisionit, Gjorgjija Sajkovski, informoi se ka nënshkruar kërkesë për ndërprerjen e apanazhit të Oliver Spasovskit dhe Vesna Bendevskës, për shkak se janë deputetë.
 
SANIJE DURAKU