Maqedoni

Ndarja e mandatit për formimin e Qeverisë, Siljanovska: Mundet edhe para 7 qershorit

04.06.2024 14:38

Kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është mandatar edhe para afatit të parashikuar ligjor....

Kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është mandatar edhe para afatit të parashikuar ligjor. Mundësinë nuk e përjashton presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, ndërkohë që nga VMRO-ja konfirmojnë se më 6 qershor, Mickoski bëhet mandatar para afatit përfundimtar, 7 qershor. Siljanovska njëherësh ka përgënjeshtruar zërat e “Frontit Evropian” për majorizim të votës së qytetarëve shqiptarë.
 
“Kushtetuta thotë dhjetë ditë dhe më pas njëzet ditë për formimin e Qeverisë, mund të ndodhë edhe më herët, por unë them që t’i studioj të gjitha elementet që të mund të veproj sipas ligjit. Nuk mund të vërej majorizim. Kuptohet që përzgjedhja bëhet sipas përcaktimit ideologjik, sipas përcaktimeve programore dhe me kë do të mund të arrinit rezultate më të mira reformuese. Është logjike që ndonjëherë të jeni në pushtet, e ndonjëherë të jeni opozitë. E rrezikshme është që gjithmonë të jeni pushteti.”, - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Vetoja greke, Siljanovska: S’zhvillon marrëdhëniet miqësore
 
Presidentja Siljanovska Davkova është shprehur edhe për veton e paralajmëruar nga kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, për integrimet e vendit, pasi sipas tij, Siljanovska nuk ka respektuar Marrëveshjen e Prespës.
 
“Ky është një mekanizëm që ekziston, i garantuar në procesin e vendimmarrjes për çdo anëtarë të BE-së. Unë nuk mund ta ndaloj këtë. Marrëveshja e Prespës është pjesë e kornizës negociuese, por nuk mendoj se është në frymën e zhvillimit të marrëdhënieve miqësore.”, - theksoi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Sipas Siljanovskës, edhe në diplomacinë tradicionale, vendet fqinje do të duhet t’i zgjidhin problemet në një frymë miqësore, duke marrë shembull vendet skandinave. Reagimi grek për mosrespektimin e Marrëveshjes së Prespës erdhi me inaugurimin e Siljanovskës për president, e cila anashkaloi emrin kushtetues të vendit.
 
MERAL ISMAILI