Botë

Vazhdon ofensiva në Gazë, Netanjahu: Propozimi i armëpushimit është jo i plotë

04.06.2024 15:00

Kryeministri izraelit, Netanjahu, kundërshtoi propozimin e presidentit amerikan Bajden...

Kryeministri izraelit, Netanjahu, kundërshtoi propozimin e presidentit amerikan Bajden për armëpushim në Gazë, duke thënë se ai ishte jo i plotë. Prioriteti kryesor mbetet shkatërrimi i Hamasit dhe kthimi i pengjeve.
 
"Ne kemi bërë një rrugë të gjatë për t'i rikthyer pengjet, por edhe kemi ruajtur qëllimet e luftës. Synimi ynë është eliminimi i Hamasit dhe rikthimi i pengjeve. Kjo është arsyeja pse unë insistoj për të dyja. Është pjesë e kornizës së marrëveshjes, nuk është diçka që unë po e shtoj sepse kam qenë nën presion nga koalicioni, por është diçka për të cilën kemi rënë dakord unanimisht në kabinetin ushtarak.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
ShBA-ja pretendon se asgjë nuk ka mbetur jashtë marrëveshjes dhe as që synohet të ushtrohet presion mbi Netanjahun dhe kabinetin ushtarak. Ata kërkojnë që Hamasi të pranojë propozimin.
 
“Bota duhet të dijë, populli palestinez duhet të dijë se e vetmja gjë që pengon një armëpushim të menjëhershëm është Hamasi. Propozimi në tryezë është pothuajse identik me atë që ata thanë se do të pranonin. Tani është koha që ata të veprojnë.”, - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
 
Një thirrje për Hamasin për të pranuar marrëveshjen erdhi edhe nga vendet e G-7. Për Iranin, propozimi amerikan është hipokrit.
 
"Nëse amerikanët janë të sinqertë, atëherë në vend që të paraqesin plane nën emrin e armëpushimit, ata duhet të bëjnë një hap dhe ky është t'i japin fund ndihmës së tyre për izraelitët.", - u shpreh u.d. ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Bageri Kani.
 
Ofensiva në Gazë vazhdoi. Tel Avivi konfirmoi vdekjen e 4 pengjeve të tjera në Gazë. Zemërimi mes familjeve po rritet. Ata kërkojnë pranimin e menjëhershëm të marrëveshjes.
 
“Ne dëgjojmë gjithnjë e më shumë për pengjet që vdesin çdo javë. Tani jemi në një moment kritik dhe nëse nuk negociojmë dhe arrijmë një marrëveshje, nuk ka asnjë shpresë për këtë vend.”, - u shpreh një i afërm i një pengu në Gazë, Ifat Kalderon.
 
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar projekt-rezolutën për Gazën tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbështetur planin e Bajdenit për t'i dhënë fund luftës. Në të njëjtën kohë, Sllovenia e shtyu njohjen e shtetit palestinez me propozimin për referendum të paraqitur nga opozita. Autoritetet palestineze kanë aplikuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për t'iu bashkuar Afrikës së Jugut në çështjen e saj kundër Izraelit për gjenocid në Gazë.
 
FITORE DEMOLLI