Botë

Lufta në Ukrainë po merr vrull, numri i refugjatëve ukrainas rritet

04.06.2024 15:18

Derisa ofensiva ruse përparon në periferi të Harkivit, si edhe në Dnieper...

Derisa ofensiva ruse përparon në periferi të Harkivit, si edhe në Dnieper, numri i refugjatëve ukrainas rritet. Brenda një dite 15 mijë njerëz të dëshpëruar nga tmerri i luftës që po vazhdon prej gati dy vitesh e gjysmë kaluan kufirin hungarez. Ata që nuk patën fatin të ishin me kilometra larg bombardimeve të përditshme ruse, strehohen në shkolla të përshtatura si kampe refugjatësh.
 
"Unë dua të shkoj në shtëpi, me të vërtetë dua. Kam jetuar atje gjithë jetën time, tani kam humbur gjithçka, shtëpinë dhe varrezat e të dashurve të mi, sepse edhe ato ishin bombarduar. Gjithçka është djegur. Jam e shtangur, nuk mund të shpjegoj se si po ndihem.”, - tha banorja e zhvendosur nga Vovçansk, Olena. 
 
“Kur filluan të binin predhat në lagje, nuk duruam dot. Bëmë gati valixhet në mes të natës dhe ikëm me fqinjët që kishin makinë. Kemi ardhur këtu me vetëm një valixhe. Pa asnjë jastëk, batanije apo shtrat.", - thanë banorët e zhvendosur nga Vovçansk, Raisa dhe Anatoli. 
 
"Nuk mund të shkojmë fare në shtëpi për momentin. Është shumë e rrezikshme. Evakuimi nga Vovçansk vazhdon derisa të gjithë të nxirren prej atje.”, - u shpreh koordinatorja e Qendrës Humanitare, Alina Alisova.
 
Ushtria ukrainase ka më shumë se një javë që hakmerret me armë të prodhimit evropian, por edhe amerikan. Megjithëse presidenti rus Putin ka paralajmëruar Brukselin dhe Uashingtonin për një përgjigje radikale, kancelari Sholc beson se përdorimi i armëve gjermane nuk do të çojë në një përshkallëzim të luftës. Kievi pretendon se raketat amerikane Himars shkatërruan një bateri raketash S-300 ose S-400 pranë Belgorodit, në territorin rus.
 
FITORE DEMOLLI