Maqedoni

Darko Kostadinovski, kryetar i ri i Gjykatës Kushtetuese

04.06.2024 15:34

Pas 9 tentimeve të dështuara, më në fund Gjykata Kushtetuese arriti të zgjedh kryetarin e sajë....

Pas 9 tentimeve të dështuara, më në fund Gjykata Kushtetuese arriti të zgjedh kryetarin e sajë. Me gjashtë vota për, minimumin e paraparë me Ligj, kryetar u zgjodh Darko Kostadinovski. Detaje të tjera për procedurën e zgjedhjes nuk janë kumtuar nga Gjykata. Kostadinovski është zgjedhur si gjykatës në janar të vitit 2018 dhe mandati i mbaron për më pak se 3 vite. Ai u propozua nga ish-presidenti, Gjorge Ivanov, dhe u votua nga shumica e atëhershme parlamentare.

Darko Kostadinovski është doktor i shkencave juridike në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi", në fushën e së drejtës ndërkombëtare. Kostadinovski u bë gjykatës kushtetues nga pozita e këshilltarit shtetëror për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit të atëhershëm, Gjorgje Ivanov. Ai ishte anëtar i kabinetit të Presidentit nga viti 2001 në kohën e presidentit, Boris Trajkovski. Nga viti 2006 vazhdoi punën e tij, duke menaxhuar departamentin për Bashkimin Evropian dhe NATO-n në zyrën e presidentit Branko Cërvenkovski.
 
Ditëve të fundit, në listën e kandidatëve që nuk arritën të marrin mbështetjen e nevojshme për pozitën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ishin edhe gjykatëset: Ana Pavlova Daneva, Tatjana Vasik Bozaxhieva dhe Osman Kadriu.
 
FLORIJE KAMBERI