Maqedoni

Debat, “BE-ja si sfidë dhe sfidat e Bashkimit Evropian”

04.06.2024 15:51

Rajoni ynë kulturalisht, gjeografikisht, historikisht ka qenë pjesë e Evropës dhe Evropa është sfida jonë...

Rajoni ynë kulturalisht, gjeografikisht, historikisht ka qenë pjesë e Evropës dhe Evropa është sfida jonë, tha kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova. Sipas saj, pa Ballkanin Perëndimor Unioni Evropian nuk është i plotë, apo siç tha ajo, vepër e pambaruar. Nënvizon implementimin real të reformave.
 
“Ne nga Ballkani Perëndimor besojmë në deklaratat poetike se BE-ja është simfoni e pambaruar pa ne, dhe se ajo që ishte ide e vërtetë e promovuar në samitin e Selanikut për vendin e Ballkanit  në Bashkimin Evropian mbetet aktuale. Teza se nëse nuk eksportojmë paqe mund të importojmë konflikt, sot kur ballafaqohemi me luftë nga e cila unë turpërohem, në shekullin 21, të flasim për luftë, me të vërtetë mendoj se është anakronike.”, - deklaroi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova. 
 
Edhe përfaqësuesi në zyrën e BE-së pranon moskompletimin e unionit pa vendet aspirante të rajonit tonë. Duke radhitur sfidat me të cilat ballafaqohet familja evropiane, përmend edhe kushtet ku vendi ynë akoma duhet të punojë shumë.
 
“Projekti i BE-së nuk është i plotë pa ju. Ne si BE gjithmonë themi se suksesi drejt eurointegrimit është përgjegjësi e përbashkët. Të gjitha vendet që duan të integrohen ndajnë përgjegjësi. Pjesa ku Maqedonia e Veriut ndan përgjegjësi është fusha e reformave, me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Kjo e rrit edhe kapacitetin ekonomik.”, - theksoi zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së, Ben Nupnau.
 
Ambasadorja e federatës gjermane, Dreksler, thotë se Gjermania përpiqet të gjejë mënyrë për zgjidhjen e sfidave në suaza të Evropës.
 
“Pjesa më e madhe e vendimeve në BE miratohen me shumicë të kualifikuar. Ana gjermane mendon se duhet të rritet numri i vendimeve që miratohen me shumicë të kualifikuar. Nuk duhet të tërhiqemi nga kompromiset. Por, fillimi dhe mbarimi i negociatave  janë vendime që miratohen njëzëri. Në këtë sferën nuk është ndryshuar asgjë.”, - u shpreh ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler. 
 
Këto komente u thanë në panel-diskutimin “BE-ja si sfidë dhe sfidat e Bashkimit Evropian: Evropa 74 vjet pas deklaratës së Shumanit”.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU