Maqedoni

Klinika e kardiokirurgjisë vazhdon të funksionojë pa drejtor

04.06.2024 16:07

Pas shkarkimit të drejtorit të Klinikës Universitare për Kardiokirurgji, Marjan Shokarevski dhe drejtueses...

Pas shkarkimit të drejtorit të Klinikës Universitare për Kardiokirurgji, Marjan Shokarevski dhe drejtueses se Programit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, Aleksandra Eftimova, ende nuk është emëruar drejtor i ri. Pavarësisht mungesës së drejtuesit, stafi i mjekëve në këtë klinikë vazhdojnë të kryejnë detyrat. Dr. Elene Grueva Nastevska, koordinator për transplantimin e zemrës, thotë se pavarësisht tentimit për të rrënuar punën ekipore, puna në Klinikën e Kardiokirurgjisë vazhdon të funksionojë në të gjitha repartet dhe sallat e operacionit.
 
“Ashtu siç e cekët, klinika funksionon, kjo është më e rëndësishmja dhe kjo është ajo për të cilën të gjithë përpiqemi në këtë klinikë, në kushte të tentimit për prishjen e të gjithë punës së institucionit të madh, e cila vitet e fundit përpiqet për të fituar përvojë të madhe në përparimin e kardiokirurgjisë, transplantimit të zemrës. Ky tentim për fat të mirë të të gjithë neve, të shtetit dhe pacientëve, nuk pati sukses që të vijë deri tek ndërprerja e punës. Klinika funksionon me të gjitha repartet dhe sallat e operacionit.”, - deklaroi koordinatorja e transplantit të zemrës, dr. Elene Grueva Nastevska.
 
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, më 27 maj shkarkoi drejtorin e klinikës në  fjalë, sepse, siç tha, bazuar në raportin e komisionit të formuar  rezulton se është rritur numri i vdekjeve në klinikë, ndërsa për 170 pacientë rezulton se në “Termini im”, nuk ka  fletëlëshime dhe as dokument për pacientët që kanë ndërruar jetë, prandaj shifrat e vdekjeve mund të jenë më të larta. Dr. Elene Grueva Nastevska, thotë se sëmundjet që trajtojnë janë më të rëndat në botë dhe shumica e pacientëve nuk mbijetojnë, pavarësisht angazhimit të ekipit mjekësorë dhe profesionistëve më të shquar evropian. 
 
“Mund të themi se janë pacientët me sëmundjen që është më e rënda në botë për t’i mbijetuar, madje më e rëndë se kanceri në pankreas, vlerësuar sipas statistikave. Kemi pacientë, d.m.th. program i cili punon në shtetin tonë vitet e fundit, me mbështetje të fuqishme nga profesionistë, të cilët janë mes udhëheqësve të shquar të transplantimit evropian, në mesin e tyre dr. Ivan Knizheviq nga Sllovenia. Ky program me më shumë se 20, mund të jenë edhe 30 pacientë nga institucionet tjera, ju është dhënë mundësia për jetë, për të jetuar një numër të caktuar vitesh, ndërsa ata presin momentin për transplantimin e zemrës.”, - theksoi koordinatorja e transplantit të zemrës, dr. Elene Grueva Nastevska.
 
Për ekspertët e huaj që janë punësuar përmes këtij programi, shteti ka ndarë 700 euro mëditje për të kryer operacione. Ministri Demiri njoftoi se ka kërkuar raport nga Aleksandra Eftimova, e cila drejtonte programin për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe është shkarkuar për shkak se nuk kanë dhënë informacione se cilët janë ata ekspertë që po vijnë, kinse nga Dedinja e Republikës së Serbisë apo vendet tjera të rajonit. Drejtori i shkarkuar, Marjan Shokarovski, siç njoftoi ministri, është shkarkuar edhe për shkak të prishjes së marrëdhënieve ndërpersonale në klinikë. Shokarovski u emërua drejtor i ri pasi ministri i mëparshëm, Fatmir Mexhiti, e shkarkoi drejtorin shumëvjeçar të Kardiokirurgjisë, Sashko Jovev. Në Maqedoninë e Veriut janë rreth 30 pacientë që presin për transplantimin e zemrës, prej tyre 12 janë me mbështetje mekanike për qarkullim, konkretisht me pompa zemre, njofton dr. Elene Grueva Nastevska.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU