Maqedoni

Paralajmërimet e VMRO-së për gjyqësorin, Lloga letër institucioneve ndërkombëtare

04.06.2024 16:50

Paralajmërimet e pushtetit në ardhje të VMRO-DPMNE-së për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve...

Paralajmërimet e pushtetit në ardhje të VMRO-DPMNE-së për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve ka ngritur shqetësimin e ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga. Ai këto shqetësime përmes një letre ua ka kumtuar ambasadave dhe institucioneve  ndërkombëtare në vend, ku sipas tij, ky paralajmërim i VMRO-së është tentimin për “kapjen” e sistemit gjyqësor që po përgatitet nga shumica e re parlamentare. 
 
“Deklaratat e zyrtarëve partiakë për mua personalisht dhe për Ministrinë e Drejtësisë janë të papranueshme dhe të palejueshme, jo për shkak të mbrojtjes së individëve në këto organe, por sepse kanë të bëjnë me pavarësinë dhe autonominë e institucioneve respektive, për të cilat kemi marrë raport nga Misioni Vlerësues nga Bashkimi Evropian, ku saktësisht është treguar se çfarë hapash duhet të ndërmarrin organet shtetërore për përmirësimin e situatës në gjyqësor.”, ka shkruar Lloga në letrën e tij drejtuar ambasadave. 
 
Letra e Llogës, VMRO-DPMNE: Vjen koha e përgjegjësisë
 
Lloga shpreh shqetësimin serioz se Qeveria e re do të marrë nën kontroll tre pushtetet dhe kjo, sipas tij, nënkupton kthim të situatës dhe problemeve të para vitit 2017. Nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE-ja kanë reaguar duke thënë se secili do të japë përgjegjësi për ndërhyrjet në sistemin gjyqësor.  
 
“Vlerësimi për drejtësinë në Maqedoni me Llogën, me LSDM-në dhe BDI-në tashmë shumë mirë dihet në vend dhe në bashkësinë ndërkombëtare. Krenar Lloga bashkë me LSDM-në dhe BDI-në është në opozitë. Vjen koha e përgjegjësisë, për të gjitha ndërhyrjet në ligje dhe sistemin gjyqësor.”, - theksoi Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE. 
 
Që të realizohet paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së për të ndryshuar ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, e domosdoshme është mbështetja nga mbi 80 deputetë.
 
ERSAN PAJAZITI