Botë

Emri i Remzi Hoxhës do të përjetësohet në një rrugë në Tiranë

04.06.2024 17:31

I zhdukur që në vitin 1995 nga Shërbimi Informativ Kombëtar i Sali Berishës...

I zhdukur që në vitin 1995 nga Shërbimi Informativ Kombëtar i Sali Berishës, emri i Remzi Hoxhës do të përjetësohet në një rrugë në kryeqytet. Sipërmarrësi nga Maqedonia kishte ardhur në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit nga regjimi jugosllav, por ai u zhduk në rrethana të mistershme, në një ngjarje të pazbardhur ende.

 
“Autorët e këtij krimi shtetëror nuk dolën kurrë para drejtësisë në mënyrë të qartë për t’u dënuar. Ata që e vranë Remzi Hoxhën nuk fshehën vetëm trupin e tij, por fshehën edhe një të vërtetë të madhe, që do të jetë brenga e gjithë gjeneratës tonë. Një pjesë të së vërtetës tentuan ta fshehin dhe me procesin gjyqësor, që u pa se ishte një farsë. Më pas disa nga autorët vdiqën, disa u arratisën pa gjurmë e të tjerë presin të përballen me drejtësinë majë ballkonit apo penxheres së tyre, por ndërkohë tashmë historia ua ka bërë gjykimin e tyre si vrasës.”, - deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
 
Veliaj i kërkoi ndjesë publike familjes së sipërmarrësit të njohur për ngjarjen që thotë se është një brengë në ndërgjegjen e Tiranës.
 
“Ky është një rast i pazakontë, pasi kryeqyteti po nderon dikë që e ka brengë në ndërgjegjen e tij. Pra, do të nderojë dhe përjetësojë dikë që e ka vrarë Tirana politike. Rasti i Remzi Hoxhës është fiks një rast i tillë. Ai ishte një sipërmarrës i njohur në Kosovë dhe Maqedoninë e asaj kohe të viteve 90-ta, i cili kishte sytë, mendjen dhe zemrën vetëm nga Shqipëria. Investoi qysh me ardhjen e demokracisë në disa projekte modeste në Tiranë, e më pas vendosi të hapë një biznes të qëndrueshëm.”, - u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
 
Remzi Hoxha ishte një biznesmen dhe aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë, por më 21 tetor të vitit 1995, ai u rrëmbye në qendër të Tiranës në kohën kur president ishte Sali Berisha, sot në arrest shtëpiak për korrupsion.
 
LULJETA NDOKA