Maqedoni

Mundësia për armëpushim në Gazë, propozimi i Bajdenit, i pasaktë për Netanjahun

05.06.2024 11:36

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se ai “nuk është gati të ndalojë” luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës....

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se ai “nuk është gati të ndalojë” luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës, duke pretenduar se vërejtjet e presidentit, Xho Bajden, rreth një propozimi për armëpushim ishin “të pasakta”.
 
“Përmbledhja që paraqiti Bajdeni është e pjesshme. Lufta do të ndalet me qëllim kthimin e pengjeve dhe më pas do të kemi një diskutim.”, tha ai. 
 
Kryeministri izraelit nuk pranoi të diskutonte numrin e të burgosurve palestinezë që do të liroheshin si pjesë e një marrëveshjeje të propozuar për shkëmbimin e pengjeve. Ne nuk do të pajtohemi për t’i dhënë fund luftës pa arritur objektivat e saj, tha Netanjahu. 
 
“Numri i pengjeve që do të lirohen në fazën e parë të marrëveshjes nuk është përcaktuar ende.”. 
 
Të premten, Bajdeni tha se Izraeli prezantoi një marrëveshje trefazore që do t’i jepte fund armiqësive në Gazë dhe do të siguronte lirimin e pengjeve. Hamasi, nga ana e tij, tha se do t’i përgjigjet pozitivisht çdo propozimi që përfshin një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës, përpjekjet për rindërtim, kthimin e të zhvendosurve dhe përfundimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të shkëmbimit të pengjeve.
 
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta para fillimit të saj.