Botë

Kosovë, OSBE-ja me raport për gjyqësinë, luftimi i krimit dhe korrupsionit, çështje jetike

05.06.2024 14:04

Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka publikuar rezultatet e raportit...

Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka publikuar rezultatet e raportit: “Nga letra në Praktikë” – Vlerësimi i efikasitetit të reagimit gjyqësor ndaj krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Raporti ka të bëjë me analizën e 52 lëndëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në periudhën nga vitit 2021 deri në vitin 2024. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Majkëll Davenport, ka thënë se luftimi i krimit dhe korrupsionit është çështje jetike për sundimin e ligjit, ndërsa ka theksuar stërzgjatjen e proceseve gjyqësore dhe besimin e ulët të opinionit te gjyqësori.
 
“Ndonjëherë ka pasur mungesë të konsensusit për të shtyrë përpara reformën gjyqësore. Ekipi ynë ka nënvizuar çështje kyçe, që përfshinë së pari, zvarritje, seanca joproduktive, kapacitet joadekuat dhe mungesë resursesh, llogaridhënie e performancë e dobët e mekanizmave përkatës, shkallë e lartë e lirimit nga akuzat, pra raporti jep rekomandime specifike për të forcuar këto hallka.”, - deklaroi shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Majkëll Davenport.
 
Euroambasadori i BE-së, Tomash Szunjog, theksoi drejtësinë e vonuar nga stërzgjatja e proceseve gjyqësore, prandaj kërkoi zbatimin e rekomandimeve në raport. 
 
“Raporti ofron 17 rekomandime shumë të vlefshme që përfshijnë të gjitha sistemet e drejtësisë në Kosovë, gjykata, këshillin gjyqësorë, këshillin prokurorial, pra të gjitha palët dhe inkurajon këto institucione që të zbatojnë rekomandimet e renditura në këtë raport.”, - theksoi euroambasadori i BE-së, Tomash Szunjog. 
 
Ministrja kosovare e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu gatishmërinë e institucioneve për luftë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.
 
“Ky raport absolutisht jep një perspektivë rajonale dhe njëkohësisht na ndihmon të marrim hapa ndërshtetëror për të rritur reagencën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Më lejoni që para jush të shpreh gatishmërinë dhe vullnetin si ministre e Drejtësisë që të mbështesim të gjitha përpjekjet për luftën e pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Objektivi ynë gjatë kësaj qeverisjeje ka qenë i qartë. Mekanizmi antikorrupsion po fuqizohet dita ditës duke goditur hallkat e krimit të organizuar.”, - u shpreh ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
Haxhiu tha se ky raport ka qenë një proces i gjatë dhe i detajuar qe ka përfshirë edhe angazhimin e institucioneve në analizimin e situatës sa i përket reagimit të gjyqësorit ndaj krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit.
 
GYLTENE SINANI