Maqedoni
Kandidaturat për kryetar të ri të LSDM-së, zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 30 qershor
05.06.2024 14:41
Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në LSDM ka filluar beteja për lider të ri të socialdemokratëve...

Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në LSDM ka filluar beteja për lider të ri të socialdemokratëve. Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale, Slavjanka Petrovska; ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Jovan Despotovski janë aktualisht në garë për kryetar të LSDM-së. Venko Filipçe tha se programin e tij partiak e ka përpiluar pasi ka biseduar me anëtarët dhe ka skanuar nevojat e tyre.
“Programi bazohet në informacione, rekomandime dhe kërkesa, të cilat i kam dëgjuar nga një numër i madh i anëtarëve tanë, me të cilët kam pasur takime të shpeshta këto ditë. Ata qartë treguan se çka është ajo që duan të ndryshohet në parti dhe kjo do jetë pjesë e programit. Partia do të punojë e përkushtuar dhe shumë më profesionalisht. Në këtë garë futem i vetëm. Vlerësoj se secili që do të zgjidhet për kryetar duhet ekipi i vetë.”, - deklaroi kandidati për kryetar i LSDM-së, Venko Filipçe.
Pas dorëzimit të kandidaturës së saj, Petrovska tha se duke marrë parasysh rrethanat politike, vendi ka nevojë për opozitë të fortë.
“Edhe pse LSDM-ja ka përjetuar disfata dhe fitore në të kaluarën, kësaj radhe situata është specifike, sidomos duke marrë parasysh rrethanat politike në vend. Asnjë vend, veçanërisht Republika e Maqedonisë, nuk ka nevojë për opozitë të dobët ose aspak. Është sfidë serioze për LSDM-në që të korrigjohet, të vazhdojë rrugën e ideologjisë së LSDM-së. Në atë periudhë, që është shumë e shkurtër dhe është përpara nesh, pres që Qeveria e re të ketë dinamikë intensive, do të duhet të konsolidojmë radhët e brendshme.”, - theksoi kandidatja për kryetare e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
Despotovski vlerëson se LSDM-ja është në gjendje të vështirë dhe ka nevojë për një fillim të ri.
“Parashohim një mekanizëm të ri me të cilin LSDM-ja do të veprojë si opozitë, do të formojmë një qeveri në hije që do të japë alternativat dhe opsion që qytetarët të krahasojnë dhe vlerësojnë vet. Do të jemi opozitë konstruktive në Kuvend dhe opozitë konstruktive në shtet. Nuk do të kritikojmë me çdo kusht dhe kjo do të jetë diçka që do të na dallojë nga praktikat e deritanishme në parti dhe shtet. Do t'i zgjatim dorën kundërshtarit politik, por ku të shohim se ka dallime, do të kritikojmë.”, - u shpreh kandidati për kryetar i LSDM-së, Jovan Despotovski.
Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë pas disfatës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërsa pasardhësi i tij do të zgjidhet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të brendshme partiake në LSDM, që do të mbahen më 30 qershor.
SANIJE DURAKU
