Maqedoni
Riorganizimi i Qeverisë, Mickoski dorëzon iniciativë për ndryshime
05.06.2024 14:58
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në prag të marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në prag të marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë, në Kuvend dorëzoi propozim për ndryshimin e ligjit për riorganizim të përbërjes dhe punës së Qeverisë. Mickoski kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve dhe tha se të premten pritet që iniciativa të kalojë seancën e parë plenare, ndërkaq më së voni të hënën apo të martën të votohen ndryshimet. Sipas Mickoskit synohet realizimi i reformave, sundimi i së drejtës, llogaridhënia, barazi qytetare dhe të përmirësohet standardi i qytetarëve.
“Kërkoj mbështetjen nga të gjithë deputetët në Kuvend, pa përjashtim se cilës parti i takojnë, ndërkaq legjitimitetin dhe legalitetin e kësaj kërkese e bazoj në rezultatin zgjedhor. Legjitimiteti i qytetarëve është i qartë, njashtu edhe legaliteti. Ky ishte premtim parazgjedhor, identik me premtimin se VMRO-së që të bëj qeveri me partitë e atëhershme në opozitë, që tani do të jenë pjesë e pushtetit.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Bisedimet VMRO – VLEN, Mickoski: Sot rikonfirmohen emrat e funksionarëve
Bisedimet me koalicionin VLEN, sipas Mickoskit janë kah fundi dhe së shpejti do të dihen edhe emrat e funksionarëve.
“Bisedimet kanë përfunduar në pjesën e resorëve qeveritarë, eshalonit të tretë dhe të njëjtat sot edhe do të verifikohen. Pres që nesër presidentja t’ia japë mandatin shumicës. Shumë shpejt do të dorëzojë edhe përbërjen e kabinetit qeveritar. Pres që Qeveria e re të votohet para afatit përfundimtar.”, - theksoi kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristian Mickoski.
VMRO-DPMNE-ja do të kundërshtojë edhe formimin e Qeverisë teknike. Sipas planifikimeve të VMRO – DPMNE-së për riorganizim të Qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë do t’i bashkëngjitet departamenti i punës, ndërkohë që do të formohet Ministria e Sociales, Demografisë dhe të rinjve. Kompetencat e turizmit do t’i bashkëngjiten Ministrisë së Kulturës. Agjencia për të rinj dhe sport nuk do të ekzistojë, por të formohet Ministri për Sport. Do të formohen ministri të reja të: Energjetikës, Minierave dhe Mineraleve, Ministria e Digjitalizimit, si dhe Ministria për Administratë.
MERAL ISMAILI
