Botë
Shqipëri, Meloni e Rama inspektojnë kampet e emigrantëve
05.06.2024 16:40
Duke filluar nga 1 gushti, qendrat në Shëngjin dhe Gjadër do të jenë gati për të pritur 1.000 emigrantët e parë...

Duke filluar nga 1 gushti, qendrat në Shëngjin dhe Gjadër do të jenë gati për të pritur 1.000 emigrantët e parë, si zbatim i marrëveshjeve Itali-Shqipëri të firmosur në nëntor nga kryeministrat Rama e Meloni. Shefja e Qeverisë italiane pa nga afër punimet për këto qendra, ndërsa konferencën e përbashkët për shtyp e dominuan mesazhet mbështetëse pas investigimit të Rai 3, kur Rama përflitet për lidhje me krimin.
“Në këtë vend nuk ekzistojnë grupe si Cosa Nostra, Sarcra Corona Unita, Ndragheta etj. Nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për vetëm gjysmë të vërteta që janë thënë në mediat italiane mbi Shqipërinë.”
Kryeministrja Meloni rikujtoi bashkëpunimet e hershme me Shqipërinë, duke sjellë në vëmendje ekipin e mjekëve që Rama nisi në Lombardi në kohën e pandemisë. Ajo sqaroi edhe se si do të funksionojnë këto dy qendra.
“Kujtoi që Shqipëria dërgoi atje infermierë. Të përsëris edhe një herë dashamirësinë për sulmet që i janë bërë Ramës dhe Shqipëria ka vënë në dispozicion disa territore të saj, në të cilat Italia po kryen punimet për ngritjen e 2 qendrave. Është një marrëveshja inovative që unë e nënvizova që mund të ishte model 15 nga 27 vende të BE-së. Do të forcojmë të gjitha procedurat. Në Gjadër do të ketë një zonë, një hapësirë, ku do të mbahen emigrantë të burgosur, në rast se do të kryejnë vepër penale. Brenda qendrave, rendi garantohet nga Qeveria italiane.”, - deklaroi kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
“Ne po paguajmë për qindra afganë me shpenzimet tona. Kam dëgjuar lloj-lloj gjërash që as nuk mund t’i imagjinoja në mediat italiane se çfarë fshihet pas kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë që ne nuk kemi kërkuar asnjë euro. Në momentin që do ta bënim këtë nuk do të ishim. Partnerëve të tjerë u kam thënë jo. Këtë mundësi mund ta shfrytëzojë vetëm Italia, askush tjetër. Nuk ka këtu kalkulime të asnjë natyre. Funksionon apo jo kjo është një gjë që do të tregojë koha. Kjo është një marrëveshje zemre dhe përgjegjësi si funksionojnë dy vende mike.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në konferencën për shtyp interesi i gazetarëve italianë, por edhe mediave ndërkombëtare, ishte i madh. Ato e komentuan si një vizitë falënderuese të Melonit ndaj vendit që e ndihmoi për emigrantët.
LULJETA NDOKA
