Maqedoni

Zgjedhjet në LSDM, 5 kandidatë do të garojnë për kryetar partie

06.06.2024 14:07

Betejës për kryetar të ri të LSDM-së do t’i bashkëngjiten edhe dy kandidatë, Aleksandar Bajdevski dhe Zllatko Ristovski...

Betejës për kryetar të ri të LSDM-së do t’i bashkëngjiten edhe dy kandidatë, Aleksandar Bajdevski dhe Zllatko Ristovski. Bajdevski është zëvendësministër aktual për shoqëri informatike dhe administratë. Në të kaluarën, ai ka kryer disa funksione publike që ishin nën autoritetin e Qeverisë, ndërsa Ristovski është aktivist partiak nga Manastiri.  
 
Ish-nënkryetari i LSDM-së dhe deputeti në përbërjen e re parlamentare, Fatmir Bytyqi, në një postim në rrjetet sociale thotë se nuk do të kandidojë për kryetar. Arsyeja e vendimit të tij, Bytyqi thotë se është parandalimi i fragmentimit dhe polarizimit të mëtejshëm në mesin e anëtarëve të partisë. Ai paralajmëron edhe fraksione apo veprim grupor brenda LSDM-së.
 
“Në kuadër të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, NE do të funksionojmë ndoshta si fraksion, ndoshta si grup, por sigurisht si pjesë e LSDM-së, që nuk do të shkojë askund tjetër - natyrisht, përderisa të dëshmojë në vepër ai që zgjidhet kryetar se ndan të gjitha ato vlera që NE përfaqësojmë. Për të qenë të qartë: NE nuk pranojmë më kompromise me vlerat themelore socialdemokratike, siç është bërë në dy vitet e fundit e më shumë. Nuk kemi më hapësirë dhe kohë për improvizime me ideologjinë që bartim brenda.”, ka shkruar Bytyqi në rrjetin social Fejsbuk. 
 
Afati për paraqitjen e kandidaturave për kryetar partie në LSDM skadon sot. Ditë më parë kandidaturën e tyre e dorëzuan tre kandidatë, Slavjanka Petrovska, Jovan Despotovski dhe Venko Filipçe. Tre pretendentët theksuan nevojën e rindërtimit të partisë. Mbetet për t'u parë nëse edhe dikush tjetër do të shfaqë ambicie për të udhëhequr partinë, e cila pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet e fundit. Zgjedhjet e brendshme partiake janë shpallur me vendim të Bordit Ekzekutiv dhe do të mbahen më 30 qershor. 
 
SANIJE DURAKU