Maqedoni

Kuvend, Gashi pret ambasadoren suedeze

06.06.2024 14:19

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takimin e parë me Ami Llarson Xhein...

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takimin e parë me Ami Llarson Xhein, ambasadore e Mbretërisë së Suedisë. Gashi shprehu falënderim të madh për Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe tha se pret që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tutje.
 
Në drejtim të bashkëpunimit të mirë është edhe ratifikimi i protokollit për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Në pritje është edhe formimi i grupit parlamentar për bashkëpunimin e Kuvendit tonë me Parlamentin e Suedisë në përbërjen e re parlamentare. Ambasadorja suedeze, nga ana e saj, u falënderua për mbështetjen për anëtarësimin në Aleancë dhe e konfirmoi angazhimin e mëtejshëm për forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Të dyja palët ishin të vendosura se do të vazhdojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe projektet e shumta zhvillimore.
 
Gashi pret ambasadorin bullgar
 
Gashi realizoi takim edhe me ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Shkup, Angel Angelov, ku është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Duke e uruar për funksionin kryetarin Gashi, ambasadori Angelov iu referua zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Bullgari, si dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Ai shprehu besimin se Parlamentet e sapozgjedhura në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë do të krijojnë komunikim të mirë dhe intensiv, veçanërisht përmes grupeve parlamentare të bashkëpunimit.
 
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se është e nevojshme të përmirësohet vazhdimisht klima e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si vende fqinje që janë të përkushtuara për bashkëpunim të vazhdueshëm. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, si dhe për perspektivat evropiane të vendit tonë në periudhën e ardhshme.
 
FLORIJE KAMBERI