Ekspozitë e piktorit Rexhep Goçi në Cyrih

15.04.2015 09:23

Nën përkujdesjen e përbashkët të piktorit shqiptar nga Cërvica e Kërçovës, Vesel Xhaferri, drejtoreshës së Bibliotekës Pestalozzi, Syle Goçit dhe autorit të këtyre rreshtave, organizohet ekspozitë e njëzet e dy veprave të Rexhep Goçit, piktor dhe kritik i Artit Figurativ nga Juniku, i diplomuar në Académie Royale des beaux-arts de Bruxelles (Akademia e arteve të bukura e Bruxelles-it)...

Pikturat e Goçit që do të kemi mundësi ti shohim e vlerësojmë, janë të një kualiteti të jashtëzakonshëm që kanë për syzhe elementin kombëtar për gjatë shekujve ku reflektohet metamorfoza që simbolizon jetën bashkëkohore e që më së miri e gjejmë në Skënderbeu, Doruntina, Kështjella, Arbëri me fyell...

Vernissage-i mbahet me 18 prill 2015, e shtunë në sallën e Bibliotekës Pestalozzi në Cyrih – Hardau nga ora 10:00 deri në orën 17:00.

Suela Jorgaqi do ta bëjë hapjen solemne e pas saj një fjalë të mirëseardhje dhe me disa sqarime eventuale do të ju përcjell piktori Vesel Xhaferri Çeliku, i cili njëherit është edhe i ftuari veçantë i Rexhep Goçit. Xhaferri gjithashtu do të prezantohet me tri piktura të rralla: Skënderbeu, Shpejt ika, dhe Dasma nuk ka mbaruar, të gjitha poliedër dhe të ndërthurrura me misticizëm unik.

Organizuesit kanë paraparë një koktej miqësie për vizitorët, si dhe një debat të shkurtër rreth pikturave dhe autorëve të tyre.