Botë
Filluan zgjedhjet për përfaqësuesit e ri të PE-së
06.06.2024 14:50
Me hapjen e qendrave të votimit në Holandë filluan zgjedhjet për përfaqësuesit e ri të Parlamentit Evropian...

Me hapjen e qendrave të votimit në Holandë filluan zgjedhjet për përfaqësuesit e ri të Parlamentit Evropian. Këto zgjedhje përfshijnë rreth 370 milion qytetarë të vendeve anëtare të BE-së të cilët kanë të drejtë të votojnë deri të dielën.
“Kam ardhur për të ushtruar të drejtën time të votës si evropian. Kjo është e rëndësishme, sepse në ditët e sotme gjithnjë e më shumë vendime merren nga Brukseli. Për këtë arsye mendoj se është e rëndësishme që të dëgjohet zëri im.”.
Në përputhje me ndryshimet e fundit, numri i eurodeputetëve rritet nga 705 në 720. Sipas rregullave evropiane, sistemet zgjedhore me të cilat zgjidhen eurodeputetët duhet të sigurojnë përfaqësim proporcional, ndonëse modelet zgjedhore ndryshojnë nga vendi në vend. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se grupi i qendrës së djathtë të partive kristiandemokrate dhe partive konservatore të moderuara, Partia Popullore Evropiane do të fitonte më shumë deputetë, përpara Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve dhe disa partive të qendrës së majtë, progresive dhe të majta që nuk janë pjesë e ndonjë grupi partiak evropian. Pas përjashtimit të Alternativës për Gjermaninë nga ID, tashmë ka njoftime për rigrupim mes partive të së djathtës.
“Unë jam hebrenje dhe jam shumë e shqetësuar për këtë trend të antisemitizmit, veçanërisht në universitete. Shpresoj që forcat e moderuara dhe përparimtare të ecin përpara.”, - deklaroi mbështetësja e Partisë Demokratike Italiane, Loretta Kaliendo.
“Shumë herë dëgjoj partitë e “Së Majtës”, që thonë se nuk duhet të investojmë në mbrojtje, sepse është për nxitje të luftës dhe mendoj se është pikërisht e kundërta. Nuk ka paqe pa ekuilibër mes forcave ushtarake të fuqive botërore.”, - theksoi mbështetësi i CHEGA-s, Vasko Salvado.
“Nuk presim ndryshime të mëdha kur bëhet fjalë se kush do ta menaxhojë Parlamentin Evropian. Por në çdo rast do të shohim një zhvendosje djathtas dhe mund të dalin disa skenarë interesantë që do ta bëjnë partinë fituese, e cila pritet të jetë Partia Popullore Evropiane, më e vështirë për t'u qeverisur nga ajo që ka qenë në pesë vitet e fundit. Unë mendoj se do të ketë zhvendosje djathtas. Pra, pyetja është, sa e madhe është?”, - u shpreh bashkëpunëtori i lartë në Bruegel, Maria Demertzis.
Votimi vazhdon nesër në Irlandë dhe Republikën Çeke. Të shtunën do të mbahen zgjedhjet evropiane në Letoni, Maltë, Sllovaki dhe në departamentet dhe territoret franceze jashtë shtetit, ndërsa të dielën në Itali. Në 20 vendet anëtare tjera të BE-së, përfshirë edhe pjesën evropiane të Francës, zgjedhjet do të mbahen të dielën, më 9 qershor. Numri më i madh i eurodeputetëve zgjidhen në Gjermani, ndërsa më i ulët në Luksemburg dhe Maltë.
LEUNORA KALIQI
