Maqedoni

Matura shtetërore, mësimdhënësit testatorë nuk janë paguar, QShP: Shkollat të kryejnë pagesën

06.06.2024 15:05

Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë, atij ekstern zgjedhor nga provimi i maturës shtetërore...

Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë, atij ekstern zgjedhor nga provimi i maturës shtetërore, por mësimdhënësit e angazhuar si testatorë, të cilët do të punojnë dy ditët e fundjavës nuk do të paguhen, prandaj ata shprehen të revoltuar ndaj institucioneve përkatëse, pasi shpërfillja e tillë humb vullnetin për zbatimin e detyrës. Biljana Mihajllovka, drejtore e Qendrës Shtetërore të Provimeve, tha se pjesëmarrja e mësimdhënësve në maturën shtetërore në rolin e testatorëve është obligim ligjor dhe kjo qëndron në ligjin për mësimdhënësit, mirëpo, kjo nuk nënkupton se testatorët nuk duhet paguar. Gjithashtu, ajo shtoi se QShP-ja nuk ka mundësi ta bëjë një pagesë të tillë. Në ligjin e ri për arsimin e mesëm ka një paragraf ku shkruhet që mësuesit që janë testatorë duhet të paguhen, por ai ligj nuk është miratuar.
 
“Apeloj drejtorët e shkollave të gjejnë mënyrë për t’i shpërblyer mësimdhënësit, sepse vërtet bëjnë përpjekje. Është e vërtetë se paraqiten të shtunën dhe punojnë dy të shtuna si testatorë. Nëse kjo nuk është e mundur tani dhe duhet të presim ndryshimet ligjore, atëherë sinqerisht i lutem mësimdhënësve që të funksionojë momenti human dhe pedagogjik tek ata që ta kryejnë punën në këtë sesion të provimeve dhe atë të muajit gusht. Pastaj, së bashku të diskutojmë për motivim më të mirë për mundin e tyre.”, - deklaroi kryetarja e QShP-së, Biljana Mihajllovska. 
 
Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë, atij ekstern zgjedhor nga provimi i maturës shtetërore. Ashtu si vitet e kaluara, në testin e gjuhës angleze janë regjistruar më së shumti kandidatë (13.198). Në provim do të hyjnë edhe 1.356 në lëndën e matematikës, 114 janë regjistruar për gjuhën gjermane, 37 për gjuhën frënge, 84 për estetikën dhe nga një kandidat për gjuhën ruse dhe për filozofi. Maturantët të shtunën e kaluar iu nënshtruan provimit të parë ekstern të detyrueshëm – Gjuhë amtare (maqedonisht/shqip/turqisht) dhe letërsi. Sipas Qendrës Shtetërore të Provimeve, rreth dy mijë mësimdhënës janë angazhuar si testatorë në testimet e maturës shtetërore.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU