Maqedoni

Siljanovska dorëzon mandatin Mickoskit, Fokusi - barazi qytetare, ekonomi dhe reforma

06.06.2024 15:19

Kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mori mandatin nga presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova...

Kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mori mandatin nga presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, për formimin e Qeverisë për 20 ditë. Mickoski siguroi se kjo mund të ndodhë më herët dhe theksoi se prioritetet e Qeverisë sipas tij reformatore në fokus do të kenë reformat duke mos bërë dallime midis qytetarëve të komuniteteve të ndryshme, sundimin e së drejtës, por edhe më shumë para për kategoritë sociale, si dhe pensionistët. Për 100 ditët e para qeverisje, mandatari premtoi dy investime të huaja.
 
“Së shpejti do të formohet Qeveria e re, reformatore, e cila qëllim bazik do të ketë reformat, të lëvizë proceset para, të mos fundosemi si shtet dhe shoqëri në kënetën politike të pengesave politike, por ta zhvillojmë shtetin tonë, qytetarët në Maqedoni të ndjehen bukur dhe të mos ketë qytetarë të rendit të parë dhe të dytë, të gjithë ne të jemi të barabartë, t’i lëvizim punët në ekonomi, reforma në ekonomi dhe një cikël të fuqishëm ekonomik. Kjo është ajo që qytetarët presin nga ne.”, - deklaroi mandatari, Hristijan Mickoski.
 
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, konsideron se Mickoski ka legjitimitetin e plotë për formimin e Qeverisë, bazuar në votimin paraprak të kryetarit të kuvendit, Afrim Gashi.
 
“Kryetari i Kuvendit u zgjodh me 76 vota. Ky rezultat dhe bisedimet që janë në vijim më japin të drejtën që të konsideroj se kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski, ka mundësi serioze të formojë Qeveri, gjegjësisht të sigurojë 61 vota për programin e tij dhe përbërjen e Qeverisë.”, - theksoi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Ndërkohë edhe pse bisedimet për formim të Qeverisë kanë përfunduar, opinioni duhet të presë për zbardhjen e emrave të ministrave, pasi sipas Mickoskit emrat e propozuar sot po shqyrtohen në organet brendapartiake. Ndërkaq nesër nis procedura për riorganizimin e Qeverisë dhe pritet të përmbyllet më së voni të martën.
 
“Nëse e shohim në kontekst më të gjerë si koalicion, ne kemi 78 deputetë, ndërkaq unë ju them se kemi më shumë se 80 deputetë.”, - u shpreh mandatari, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski ka kërkuar mbështetjen e të gjitha partive. Mbështetje, përpos partnerëve potencial qeverisës, ka dhënë edhe “E Majta”, ndërkaq nga LSDM-ja pritet që të shohin propozimin dhe më pas të prononcohen.
 
MERAL ISMAILI