Maqedoni
Ndarja e “kulaçit” qeverisës, Ganiu nuk jep detaje, spekulime për drejtoritë
06.06.2024 15:55
Koalicioni i ri qeverisës po mbyll marrëveshjen për bashkëqeverisje...

Koalicioni i ri qeverisës po mbyll marrëveshjen për bashkëqeverisje. Janë ndarë dikasterët ministrorë, por edhe drejtoritë. Burime nga koalicioni VLEN njoftojnë se partneri shqiptar në këtë Qeveri do të përfaqësohet me 5 ministri, 2 zëvendëskryeministra, 7 zëvendësministra dhe 5 sekretarë shtetërorë. Si nga postet më kryesore përmenden zëvendëskryeministrin e parë, zëvendëskryeministrin për Qeverisje të Mirë, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Ministrinë e Ekologjisë, atë të Politikave Sociale dhe Ministrinë e Eurointegrimeve. Visar Ganiu nga VLEN-i konfirmoi se si koalicion kanë marrë ministrinë e pestë, bëhet fjalë për Ministrinë e Eurointegrimeve.
“Sekretariati që ishte më herët për eurointegrime, d.m.th. kalon në ministri. Me buxhet të vetin, me kabinet, me të gjitha, d.m.th. nishanet që duhet t’i ketë një ministri. Nga ana tjetër, procesi i bisedimeve ka kaluar në një atmosferë pune. Ku ka pasur edhe ditë ku bisedimet kanë zgjatur me orë të tëra, por kjo ka qenë në funksion për më të mirën për shtetin tonë.”, - deklaroi Visar Ganiu nga VLEN-i.
Por informatat të cilat qarkullojnë nga radhët e VLEN-it, mësohet se subjekti shqiptarë në qeverisje do të udhëheqë me drejtoritë, si: MEPSO, Fondin për Sigurimin, Postën e Maqedonisë, Drejtorinë e Inteligjencës Financiare, Rrugët e Maqedonisë, Agjencinë për Investime të Huaja, Resurset Energjetike, Filarmoninë, Drejtorinë e Depozitave dhe disa drejtori të tjera. Mësohet se VLEN-i gjithashtu do të ketë zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Doganave, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, ELEM, Fondin Pensional, Policinë Financiare, Fondin Shëndetësor dhe shumë drejtori të tjera në nivel qendror dhe lokal.
FITIM KRYEZIU
