Maqedoni
Komuna e Çairit filloi ndërtimin e pishinës për fëmijë
06.06.2024 16:16
Komuna e Çairit filloi me ndërtimin e pishinës për fëmijët e shkollave....

Komuna e Çairit filloi me ndërtimin e pishinës për fëmijët e shkollave. Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, informoi se sipërfaqja e pishinës është rreth 620 metra katror. Thellësia e pishinës do të jetë 80 cm deri në 1 metër e 30 cm. Do të përdoret nga shkollat për ushtrime, mësim të notit, për gara dhe rekreacion. Pishina pritet të jetë e gatshme në nëntor të këtij viti.
“Ky projekt duhej të fillojë para katër viteve, d.m.th. fillon me katër vite vonesë, edhe pse ishim me dokumente të kompletuara prapë se prapë pishinat destinoheshin në komuna tjera që s’ka asgjë të keqe, por duke i marrë parasysh parametrat të cilat janë në komunën e Çairit, numri i madh i nxënësve, i shkollave fillore, çerdheve dhe ky projekt është më se i domosdoshëm. Kjo pishinë do të jetë 620 metër katror, do të jetë pishinë me të gjitha standardet për not. Këtu do të kenë mundësi dhe do ta bëjmë të obligueshme mësimin e notit nëpër shkolla fillore. Do të jetë pishinë e mbyllur për të gjitha stinët, do të punojë edhe në dimër edhe në verë.”, - deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ganiu potencoi se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë të investojnë në komunën e Çairit me aktivitete sportive dhe të rekreacioneve.
VLORA LATIFI TOPOJANI
