Botë
Tiranë, protesta e Rithemelimit u zhvendos para Parlamentit
06.06.2024 16:40
Protesta e Rithemelimit u zhvendos këtë të enjte para Parlamentit...

Protesta e Rithemelimit u zhvendos këtë të enjte para Parlamentit. Kësaj here, objekti i saj nuk ishte vetëm afera te bashkia e Tiranës, por dokumentari i televizionit Rai3 që pretendon për lidhje të Qeverisë me krimin dhe mafian.
E pranishme dhe vajza e Sali Berishës, Argita Malltezi, e cila mban veshur bluzën “Free Berisha”, duke treguar kështu dhe arsyen e protestës. Ajo shihet në mes të protestuesve, e mbuluar me tymin e disa gomave që u vunë në flakë nga militantët e Berishës.
Para saj, Klevis Balliu u kërkon të pranishmëve jo vetëm të gjuajnë me fruta a sende, por të shtyheshin tej kordonit të policisë. I njëjti skenar si te protesta përballë bashkisë së Tiranës.
Edhe kësaj here nuk do të mungonte në tubim Sali Lusha, ish-truproja i Sali Berishës.
Policia bënte thirrje të shmangin forcën dhe dhunën, të mos përplaseshin, ndërsa në gatishmëri ishin edhe trupat RENEA. Një autobot me ujë qëndronte aty për çdo rast.
“Spray” lotsjellës u përdor në disa raste për të larguar turmën që shtyhej fizikisht drejt kordonit për të kaluar në ambientet brenda Kuvendit, ku gjithashtu pati tensioni.
LULJETA NDOKA
