Botë

Sulmi izraelit në një shkollë në Gazë, dhjetëra të vdekur, mes viktimave ka edhe fëmijë

07.06.2024 11:11

ShBA-ja i ka kërkuar Izraelit të jetë plotësisht “transparent” lidhur me sulmin ajror që vrau të paktën 35 njerëz...

Për sulmin në shkollën në Nuseirat ku mbetën të vrarë dhjetëra civilë, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë, kreu i agjencisë palestineze të OKB-së, Lazarini ka akuzuar Izraelin, pasi që nuk i kanë paralajmëruar. Guterres theksoi se objektet e organizatave paqeruajtëse duhet të mbrohen.
 
“Targetimi ose përdorimi i ndërtesave të Kombeve të Bashkuara për qëllime ushtarake është e turpshme dhe mosrespektim i ligjit ndërkombëtar humanitar.”, - deklaroi zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujariq.
 
Tronditet dhe reagon faktori ndërkombëtar
 
Uashingtoni në të njëjtën vijë me Tel Avivin kërkon transparencë. Izraeli pretendon se ka shkatërruar një bombë të kurdisur të Hamasit. Sipas tyre, dy herë e kanë prolonguar sulmin për shkak të civilëve në atë zonë.
 
"Ndaluam një bombë me sahat. Është kryer një sulm preciz, i cili kishte në shënjestër tre klasa specifike ku fshiheshin terroristët.", - theksoi zëdhënësi i Mbrojtjes i Izraelit, Daniel Hagari.
 
“Kemi kontaktuar me qeverinë e Izraelit. Ata thanë në esencë atë që e thanë publikisht. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë edhe raportet e terrenit, pamjet dhe dëshmitë e viktimave civile. Presim që ata të jenë plotësisht transparentë në publikimin e këtyre informacioneve.”, - u shpreh zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Metju Miller. 
 
Reagon edhe komuniteti ndërkombëtar. Borrell kërkon hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi për sulmin vdekjeprurës. Për autoritetet palestineze, e vetmja rrugë drejt paqes është përmes njohjes së shtetit palestinez.
 
“Nëse bota dhe Izraeli duan paqe dhe stabilitet në këtë rajon, atëherë zgjidhja është unike dhe e qartë. Rruga drejt paqes shpie përmes njohjes së të drejtave të popullit palestinez dhe shtetësisë palestineze.”, - theksoi kryeministri i Palestinës, Mohamed Mustafa.
 
Iraku mbështet iniciativën e Bajdenit për armëpushim në Gazë. Hamasi është ende duke e rishikuar propozimin pasi ofensiva izraelite fokusohet në qendrën e enklavës për të ndjekur militantët që pretendojnë se janë rigrupuar atje.
 
LEUNORA KALIQI