Maqedoni
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, qytetarët konsumojnë ushqim të sigurt dhe cilësor
07.06.2024 15:19
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se qytetarët e RMV-së janë duke konsumuar ushqim...

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se qytetarët e RMV-së janë duke konsumuar ushqim të sigurt dhe cilësor, dhe se në pesë muajt e parë të vitit janë kryer mbi 22.000 kontrolle inspektuese, për ta vërtetuar cilësinë e ushqimit, tha drejtori i kësaj agjencie, Nikolçe Babovski. Sipas tij, agjencisë ende i mungojnë së paku edhe 40 inspektorë dhe institucioni do të kërkojë nga Qeveria e re punësime të reja, me qëllim që të sigurohet garanci më e madhe e ushqimit në treg.
“Unë me përgjegjësinë më të madhe mund të konfirmoj se në RMV konsumojmë ushqim të sigurt, çdoherë nëse i referohemi kontrolleve të cilat janë kryer. Deri më tani në tregtinë e brendshme kemi realizuar afër 22 mijë kontrolle inspektuese të produkteve të cilat janë në tregun vendor. Prandaj qytetarët gjatë blerjes së produkteve ushqimore duhet të kenë kujdes se ku po e blejnë, i njëjti produkt a është ruajtur në vend adekuat, të shihet afati i skadimit, të njëjtin produkt sa më shpejt ta dërgojnë në shtëpitë e tyre dhe ta ruajnë në temperaturë jo më të lartë se 5 gradë C.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Nikolçe Babovski.
Drejtori Babovski po ashtu theksoi se nëse inspektorët hasin në vende të caktuara ushqim më afat të skaduar, largohet nga tregu dhe parashihen gjoba për operatorët tregtues. Kurse nëse qytetarët i hasin këto produkte në treg, atëherë duhet ta lajmërojnë inspektoratin tonë në numrat e telefonit pa pagesë. Babovski tha se në botë më shumë se 600 milionë njerëz në vit sëmuren prej ushqimit të pasigurt, jo të duhur dhe të parregullt, ndërsa rreth 420 mijë njerëz në vit vdesin si pasojë e ushqimit të pasigurt.
FITIM KRYEZIU
