Maqedoni

Kuvend, miratohet nevoja për riorganizimin e ministrive

07.06.2024 15:51

Me 74 “për” dhe 24 “kundër”, deputetët miratuan nevojën për ndryshimet ligjore për riorganizimin e ministrive...

Me 74 “për” dhe 24 “kundër”, deputetët miratuan nevojën për ndryshimet ligjore për riorganizimin e ministrive. Nga pozita e propozuesit të ligjit, mandatari dhe njëherit lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kërkoi mbështetje për miratimin e zgjidhjes për riorganizimin e ministrive në emër të, siç tha, mbështetjes së madhe që ka marrë koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja në zgjedhje dhe në emrin e reformave që janë zotuar se do t'i zbatojë.
 
“Koalicioni “Për Maqedoninë tuaj” është zotuar të ndërmarrë aktivitete që kanë për qëllim rishikimin dhe racionalizimin e rregullimit të organeve të administratës shtetërore me mundësinë e bashkimit ose shfuqizimit të organeve të caktuara shtetërore. Këtë sot po e bëjmë edhe përmes këtij propozimi për ndryshime në ligj, i cili pres që të miratohet në një kohë sa më të shkurtër, sipas mundësive të rregullores.”, - deklaroi mandatari, Hristijan Mickoski.
 
Nga LSDM-ja theksuan se ligji nuk guxon të ndryshohet me procedurë të shkurtuar dhe së bashku me deputetët e “Së Majtës” kanë kërkuar tërheqjen e ligjit nga seanca plenare. Integristët ishin të përmbajtur gjatë votimit, ndërsa deputeti Bexheti kërkoi që ky ligj të merret me shumë kujdes dhe të sillet përmes një procesi të dialogimit. 
 
“Vlerësoj se nuk lejohet miratimi i një ligji sistematik me procedurë të shkurtuar, veçanërisht një ligj që rregullon rritjen e numrit të ministrive dhe agjencive dhe nuk ka vlerësim të ndikimit të rregullores. Nuk do të hyj në argumentet, propozimin, legjitimitetin, por ky është absolutisht një ligj kompleks dhe i gjerë që është në kundërshtim me rregulloren, të cilës i referohet dhe ne po votojmë për ta hequr këtë pikë nga rendi i ditës.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski. 
 
“Ju edhe ashtu nuk keni procedurë të rregullt në këtë Kuvend, procedura e rregullt tek ju nuk ekziston. Procedura e shkurt është procedura e re dhe gjithçka e shtymë në një korsi të shpejtë sikur të jemi punonjës që punojmë në fabrikë.”, - u shpreh deputeti i “Së Majtës”, Borislav Kërmov. 
 
“Me vetë faktin që jemi të organizuar në parti politike mbi baza etnike, e pastaj me koalicione edhe në taborin maqedonas edhe atë shqiptar, nënkupton që ky ligj nuk duhet të sillet në mënyrë të njëanshme, pasi që nga organizimi i organeve shtetërore do të kenë të mira apo mangësi qytetarët e këtij vendi.”, - theksoi Blerim Bexheti nga BDI.
 
Nëse realizohen këto ndryshime ligjore, kjo do të thotë se Ministria e Politikës Sociale dhe e Punës, do të jetë Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Agjencia për rininë dhe sportin që ka ekzistuar deri më tani nuk do të ekzistojë dhe do të kemi një ministri të veçantë për sportin. Gjithashtu, një pjesë e kompetencave që ka pasur më parë Ministria e Ekonomisë në fushën e minierave dhe energjisë do të jenë pjesë e kompetencave të ministrisë së sapokrijuar, e cila është Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
 
SANIJE DURAKU