Botë
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të angazhuara edhe partitë nga Kosova
07.06.2024 16:16
Prej 6 deri më 9 qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian me seli në Strasburg....

Prej 6 deri më 9 qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian me seli në Strasburg. Megjithëse ato zhvillohen në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, edhe tri partitë më të mëdha nga Kosova janë të angazhuara në mbështetjen e partive simotra në BE. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes, në takimin e Partisë Socialiste Evropiane në Berlin bëri ftesë që të votohet për kandidatët e këtij grupi në zgjedhjet evropiane.
“Ishim në Berlin, në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë, ku përkrah edhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Sholc, shprehëm mbështetjen për kandidatët socialdemokratë, Katarina Barlej dhe Nikollas Shmit.”, shkroi Kurti në rrjetet sociale pas kësaj konference.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u përfshi në fushatën për zgjedhjet evropiane nëpër vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani dhe Austri, ku kërkoi nga diaspora e Kosovës që t’i votojë kandidatët e Partisë Popullore Evropiane. Fitorja e qendrës së djathtë në zgjedhjet evropiane do të krijojë siguri edhe për Kosovën, vlerëson Abdixhiku. Anëtarë të PDK-së kanë marrë pjesë në takimet e liberalëve evropianë.
Angazhimi i politikanëve nga Kosova në fushatën zgjedhore për zgjedhjet evropiane shihet si i rëndësishëm për shkak të rritjes së numrit të shqiptarëve nga vende të ndryshme në vendet e Bashkimit Evropian, vota e të cilëve në disa raste mund të jetë vendimtare. Në garë për ulëse në Parlamentin Evropian është edhe shqiptari nga Italia, Muharrem Salihu, i cili kërkon edhe votën e diasporës shqiptare.
GYLTENE SINANI
