Maqedoni

Llojan, fillojnë punët ndërtimore të sallës së sportit

07.06.2024 16:39

Në shkollën fillore “Rilindja”, në fshatin Llojan të komunës së Likovës, gjatë ditës së sotme...

Në shkollën fillore “Rilindja”, në fshatin Llojan të komunës së Likovës, gjatë ditës së sotme kanë filluar punimet rreth ndërtimit të sallës së sportit. Ky projekt kapital financohet nga MASh-i, i cili kap vlerën e investimit 30 milionë denarë. Shkolla fillore “Rilindja”, e cila numëron rreth 380 nxënës, është shkollë periferike e në të cilën mësimet i ndjekin fëmijët e fshatit Llojan dhe Vaksincë të komunës së Likovës.      
 
“Kjo sallë sporti, punimet tashmë i mbikëqyrëm, kapin vlerën rreth 30 milionë denarë në të cilin projekt, përveç ndërtimit të saj, do të përfshihet i gjithë mobilimi i brendshëm i saj, e cila do të jetë funksionale për nxënësit e kësaj shkolle. Gjithashtu bashkë me kryetarin e komunës përkujtuam edhe projektet tjera që kemi realizuar në këto shkolla të kësaj zone. Pra, kompletimi i këtij projekti, si dhe me fushën e jashtme multifunksionale jep dëshmi se përveç aktiviteteve mësimore brendaprogramore dhe aktiviteteve jashtëmësimore dhe realizimin e lëndëve të caktuara do ta bëjë më të denjë për nxënësit e kësaj shkolle.”, - theksoi ministri i MASh-it, Jeton Shaqiri. 
 
“Kemi bërë gjithçka që të vijmë deri te kjo ditë. Kjo ëndërr e kamotshme po bëhet realitet. Shpresoj se nxënësit e shkollës sonë do t’i kryejnë obligimet dhe detyrat e veta shkollore në kushte tashmë më të mira.”, - u shpreh drejtori i shkollës fillore “Rilindja” -  Llojan, Idriz Sulejmani. 
 
“Është një projekt kapital, një kërkesë e kamotshme të këtyre dy fshatrave dhe me këtë do ta rrumbullakësojmë infrastrukturën e shkollës dhe do të vazhdojmë me sistemin kabinetik, shpresoj se në bazë të planit do të kryhen punët ndërtimore e që ta gëzojnë nxënësit, por edhe banorët e të dy fshatrave.”, - theksoi kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi. 
 
Ndryshe, kjo shkollë deri më tani nuk ka pasur sallë sportive, aktivitet e lëndës së edukatës fizike nxënësit i kanë realizuar në oborrin e shkollës, si dhe në fushën e hapur të sportit. Projekti në fjalë pritet të përfundojë deri në dhjetor, por që  mund të përfundojë edhe para afatit të caktuar.  
 
FATLUM AQIFI