Maqedoni
Komuna e Zhelinës bëhet me njësi të zjarrfikësve
07.06.2024 16:58
Pas shumë premtimesh, më në fund komuna e Zhelinës bëhet me njësi të zjarrfikësve...

Pas shumë premtimesh, më në fund komuna e Zhelinës bëhet me njësi të zjarrfikësve, e cila do të funksionojë në kuadër të zjarrfikësve të Tetovës, ku do të ketë edhe kujdestar nate për të qenë më afër qytetarëve. Sipas të parëve të komunës së Tetovës dhe Zhelinës, për të parën herë do të kemi njësi të zjarrfikësve në këtë komunë.
“Komuna e Zhelinës do të ketë njësitin e vet, komuna e Tearcës do të mbulojë edhe Jegunocin, do të ketë njësitin e vet, edhe komuna Bogovinës do të mbulojë edhe komunën e Bërvenicës, ku në fazën e parë do të funksionojë vetëm me shërbim ditor, do të mbulohet komplet rajoni i komunës së Zhelinës, dhe më këtë besoj se do të arrijmë ne me kohë të shpëtojmë pronat edhe jetën e njerëzve.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Për herë të parë komuna e Zhelinës bëhet me zjarrfikës dhe kërkesa e qytetarëve ka qenë e kamotshme që të bëhet me njësi të zjarrfikësve, sidomos në vendet malore që për shkak të largësisë nga Tetova nuk kemi arritur me kohë që të intervenojmë në rastet e paraqitura me zjarr.”, - theksoi kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Ndërsa komandanti i NjTKZ-Tetovë, Avni Ameti, tha se kjo njësi për momentin do të qëndrojë 12 orë në ditë në shërbim, ndërsa më pas duhet të jetë 24 orë.
“Kjo pikë këtu do të funksionojë gjatë ditës nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 7 të mbrëmjes, gradualisht do të funksionojë edhe 24 orë, siç e cekën është edhe autostrada që lidh Tetovën me Shkupin, që ndodhin shpesh aksidente të ndryshme.”, - u shpreh komandanti i NjTKZ-Tetovë, Avni Ahmeti.
Këtë hap të komunës së Zhelinës duhet të ndjekin edhe komunat tjera me vende rurale në Tetovë.
VISAR SADIKI
