Botë

Franca furnizon Ukrainën me avionë luftarakë, Makron: Armët mos të përdoren për sulme në civilë

07.06.2024 17:17

Ukraina do të furnizohet me avionë luftarakë francezë “Mirage”, konfirmoi presidenti francez Makron...

Ukraina do të furnizohet me avionë luftarakë francezë “Mirage”, konfirmoi presidenti francez Makron, i cili tha se Franca do të ofrojë edhe trajnime për pilotët ukrainas. Makroni është i vendosur që Kievit duhet t’i lejohet të përdorë armët e aleatëve perëndimorë për të mbrojtur dhe neutralizuar pikat nga ku sulmon Rusia, por armët nuk duhet të përdoren për sulme në civil.
 
“Aeroplanët luftarakë francezë do t'i mundësojnë Ukrainës të mbrojë vendin dhe hapësirën e saj ajrore. Por, ne nuk lejojmë që armët tona të përdoren për të sulmuar civilët dhe për të bombarduar objektiva në Rusi, por ekskluzivisht për të neutralizuar sulmet ruse.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron. 
 
Presidenti ukrainas, Zelenski, i cili po viziton Parisin, në fjalimin e tij para deputetëve francezë bëri thirrje për unitet në Evropë kundër agresionit të Rusisë. Ai ritheksoi se Ukraina është çelësi i sigurisë së kontinentit të vjetër.
 
“Ukraina është ajo që mban çelësin e sigurisë në Evropë, sepse Rusia pa kontroll mbi Ukrainën është një shtet-komb i zakonshëm.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Edhe presidenti amerikan Bajden është me mbështetje të fortë për Ukrainën. Uashingtoni nuk do të devijojë nga synimi i tij për të mbrojtur Ukrainën, nuk do të lejojë që Rusia të jetë një kërcënim për Evropën, tha Bajden.
 
“Ne nuk do të largohemi, sepse nëse e bëjmë, Ukraina do të nënshtrohet dhe Rusia nuk do të përfundojë me kaq. Fqinjët e Ukrainës do të kërcënohen, e gjithë Evropa do të kërcënohet.”, - u shpreh presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden. 
 
Kremlini, nga ana tjetër, ka paralajmëruar vazhdimisht se vendet që furnizojnë Kievin me armë me rreze të gjata do të përballen me pasoja.
 
“Uashingtoni nuk do të jetë në gjendje të shmangë përgjegjësinë për lejimin e Ukrainës të përdorë armë amerikane për të sulmuar objektivat në territorin e Federatës Ruse. Ata nuk do të mund të shmangin përgjegjësinë, duke përdorur gënjeshtra dhe hipokrizi.”, - deklaroi zëdhënësja e Kremlinit, Maria Zakharova.
 
Ndërsa në front, ushtria ukrainase aktualisht po lufton për të parandaluar presionin rus në zonat lindore. Sulmet ruse janë intensifikuar në Harkiv dhe Donetsk, ku ushtria ruse po përpiqet të përfitojë nga mungesa e armëve dhe trupave të Ukrainës.
 
LEUNORA KALIQI