Maturantët iu nënshtruan provimit të dytë ekstern, Mehmedi: I kemi respektuar rregullat gjatë provimit
Maturantët i’u nënshtruan provimit të dytë...

Maturantët i’u nënshtruan provimit të dytë, atij ekstern zgjedhor nga provimi i maturës shtetëror. Drejtori i gjimnazit “Zef Lush Marku” Arben Mehmedi, tha se mësimdhëmësit e kësaj shkolle i kanë përgatitur nxënësit për katër vite me rradhë, prandaj shpreson në rezultate të mira.
Mehmedi gjithashtu tha se, ashtu siç kërkuan nga Qendra e Provimeve Shtetërore e Ministrisë së Arsimit, Qendra për Arsim dhe Aftësim Profesional, si dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit, nxënësve nuk u janë lejuar telefonat, çantat dhe librat gjatë testimit, pra shkolla i ka zbatuar rregullat e kërkuara dhe procesi është zhvilluar normalisht.
“Në mënyrë të qetë dhe me plot përkushtim, nxënësit iu nënshtuan maturës shtetërore nga gjuha angleze. Çdo gjë kaloi siç duhet, nuk kishim problem. Komisioni me kujdes e kryente punën siç duhet, por edhe nxënësit ishin të qetë. Shpresoj për një rezultat të mirë, që nxënësit tanë të kenë mundësi të vazhdojnë drejt sfidave të reja të jetës.” – tha Drejtori i Gjimnazit, “Zef Lush Marku”, Arben Mehmedi.
Maturantët pas provimit u shprehën se pyetjet nuk ishin të vështira, pasi gjatë gjithë kohës kanë punuar në bashkëpunim më mësimdhënësit.
“Sot iu nënshtruam provimit të dytë shtetëror në gjuhën angleze. Pyetjet nuk ishin të vështira, arrita ta bëj testin dhe pres rezultatet” – tha maturantja, Arta Sali.
“Provimi ka qenë një eksperiencë që nuk e kemi përjetuar më herët, kemi patur teste të ndryshme, por ky test ka qenë më stresues dhe pak më serioz. Nuk kishte shumë pyetje në test dhe profesorët na kanë përgatitur katër vite prej kur kemi filluar. Unë nuk e suportoj këtë test pavarsisht angazhimit të profesorve për me na përgatit dhe për këtë besoj se do të dalim të suksesëshëm” – u shpreh maturanti Suhejb Tërstena.
“Sot e kishim provimin shtetëror të dytin në gjuhën angleze. Kishim pak stres normalisht si të gjithë nxënësit e shkollave. Jemi përgatitur paraprakisht dhe kemi bërë ushtrime në shkollën tone. Kemi ndjekur mësim shtesë me profesorët, na kanë ndihmuar gjatë punimeve paraprake edhe pse saktësisht nuk i kemi ditë pyetjet, por kemi punuar shumë.” – tha maturantja, Anida Abdullovska.
“Në provim kaluam mirë, ishte një përvojë interesante, sikurse provimi i parë, njëjtë ishte edhe i dyti. Kemi qenë të përgatitur dhe erdhëm ta japim më të mirën tonë dhe besoj se do të dalim suksesëshëm. Pytjet ishin të vështira por jemi përgatit më kohë, pasi e dinim që kemi një sfidë të vështirë para vetes dhe do të dalim të suksesëshëm” – deklaroi maturanti, Andi Fejzullahu.
Maturantët të cilët gjatë këtij sesioni nuk mund ta japin maturën shtetërore ose jo në tërsi, mund të paraqiten në sesionin e dytë në muajin gusht në datën 12 dhe 14 për të mbajtur provimin e dytë ekstern.
Rreth 15 mijë maturantë ju nënshtruan testimit të dytë zgjedhor ekstern nga provimi shtetëror i maturës. Më shumë kandidatë të regjistruar – 13.198 për testimin e gjuhës angleze. Në provimin e matematikës do të hyjnë 1.356 maturantë, për gjuhën gjermane 114, për gjuhën franceze 84 maturantë, ndërsa për provimin e gjuhës ruse dhe të filozofisë ka nga një kandidat. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
