Mbytet anija në Mesdhe, vetëm 144 emigrantë janë shpëtuar deri tani
Një anije me mbi 500 persona është mbytur rreth 80 milje larg bregdetit të Libisë...

Roja bregdetare italiane shpëtoi 144 emigrantë dhe po vazhdon një operacion kërkimi me shpresën për të gjetur të tjerë persona. Deri tani janë gjetur vetëm 9 trupa të pajetë. Në anije ndodheshin të paktën 550 emigrantë të nisur nga Libia, thonë të shpëtuarit. Megjithatë, autoritetet italiane nuk e kanë konfirmuar një rast të tillë.
Italia është përballur me një valë në rritje të emigrantëve të dëshpëruar nga Afrika dhe Lindja e Mesme, të nxitur nga situata e rëndë që po kalojnë disa shtete në këtë rajon.
Nga e premtja e javës së kaluar deri të hënën janë shpëtuar mbi 8 mijë e 500 emigrantë dhe sipas Rojës Bregdetare italiane, vetëm të hënën ka marrë thirrje për ndihmë nga 20 anije. BE jep alarmin për vendet e unionit për t’u përgatitur për një valë të re emigrantësh që largohen nga vendet e përfshira në konflikt dhe në varfëri ekstreme. Më shumë se 280 mijë njerëz kanë hyrë në Evropë ilegalisht vetëm vitin e kaluar. Shumica prej tyre nga Siria, Libia dhe Afrika. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
