Botë

Zgjedhjet në PE, konservatorët fitojnë, djathtistët shtojnë votat

10.06.2024 09:15

Rreth 51% e votuesve e dhanë votën për Parlamentin e ri Evropian....

Rreth 51% e votuesve e dhanë votën për Parlamentin e ri Evropian. Forcat politike evropiane po anojnë dukshëm djathtas. Presidenti, Makron shpalli zgjedhje të reja pas rezultatit të votimeve për Parlamentin Evropian.

Ishte surpriza e mbrëmjes pas votimeve për Parlamentin Evropian. Pas fitores së qartë të partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Rasemblement National, presidenti Makron shpërbëu Asamblenë Kombëtare dhe shpalli zgjedhje të parakohshme për 30 qershorin. RN-ja fitoi në zgjedhjet evropiane më shumë se 31% të votave, kurse kampi qeveritar i Makronit (Rilindja) më pak se 15%. Krahasuar me zgjedhjet evropiane 2019, partia e Le Penit i shtoi me rreth 10% votat.
 
Në Itali fitoi kryeministrja Meloni, me partinë “Fratteli d’Italia” më shumë se 29%. Edhe në Austri partia populliste e Lirë, FPÖ doli fituese me 26%. Kurse në Gjermani, partia Alternativa për Gjermaninë, AfD me 15.9% doli forca e dytë politike pas partive të Unionit CDU/CSU me 30%. Në vend të klimës, fushatën për zgjedhjet evropiane e përcaktoi migracioni, politika ekonomike dhe siguria.