Maqedoni
USHT prezenton oferten akademike
15.04.2015 14:43
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti prezantoi kapacitetet e USHT-së para maturantëve...

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti prezantoi kapacitetet e USHT-së para maturantëve, studentë të ardhshëm të këtij universiteti
“Universitetet gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten promotorët kryesorë të zhvillimeve dhe progresit shoqëror. Në këtë drejtim, si asnjë universitet tjetër në botë, Universiteti Shtetëror i Tetovës, qysh nga themelimi i tij në vitin 1994, ka luajtur një rol kyç në arsimimin e gjeneratave të reja të trevave tona, në emancipimin e gjithmbarshëm të femrës shqiptare, në zhvillimin dhe avancimin e dijes dhe shkencës, si dhe ka shërbyer si një urë lidhëse për afrimin e kulturave të ndryshme të mbarë rajonit të Ballkanit, duke promovuar paqen, tolerancën dhe respektin për njëri-tjetrin.
20 vjetët e kaluara kanë qenë vërtet të vështira për Universitetin Shtetëror të Tetovës, sepse rrethanat shoqërore-politike kanë qenë të tilla, por megjithatë ne kemi arritur t’i sheshojmë të gjitha barrierat dhe të hapërojmë shpejt drejt së ardhmes, e cila nuk njeh asgjë tjetër pos arsimimit cilësor dhe profesional. Universiteti Shtetëror i Tetovës sot është mishërimi i procesit mësimor shkencor dhe formave moderne të jetesës, të cilat konsistojnë në harmoninë e përgjithshme shoqërore dhe mëtojnë integrimin sa më të shpejtë euro-atlantik të vendit. Vetëm me kuadro të përgatitura mirë ne mund t’u bëjmë ballë sfidave të kohës dhe të ndërtojmë një model universitar dhe shoqëror për mbarë rajonin. Në këtë pikëpamje, ne ofrojmë arsimimin dhe përgatitjen profesionale të gjeneratave të reja për një karrierë të suksesshme akademike, si dhe profilizimin e tyre për një riformatim të opinionit të gjithmbarshëm publik” deklaroi Ameti.
Universiteti Shtetëror i Tetovës në vitin akademik 2015/2016, në të gjitha fakultetet dhe programet studimore ka paraparë të regjistrojë 4.865 studentë në Ciklin e parë, 315 studentë në kuadër të Projektit 30/35 dhe 1.465 studentë në ciklin e dytë.
Për vitin e ardhshëm akademik, oferta e USHT-së për studentët është gjithëpërfshirëse, sepse në vitin që vjen fillojne edhe me studimet e Ciklit të tretë, përkatësisht studimet e doktoratës.
Për maturantët e këtij viti dhe studentët e studimeve pasdiplomike, Universiteti Shtetëror i Tetovës përpos studimeve ekzistuese ofron edhe programe dhe drejtime të reja siç janë:
Në Ciklin e parë i kemi hapur këto drejtime studimore:
Kriminalistikë
Informatikë, programi në gjuhën angleze
Gjeodezi dhe informatikë
Inxhinieri transporti dhe komunikacioni
Komunikacion rrugor dhe transport
Në Ciklin e dytë:
Metodologjia e mësimdhënies së gjuhës angleze,
Filozofi bashkëkohore, në gjuhën angleze
Informatikë
Fizika e materialeve, në gjuhën angleze
Inovacione didaktike
Arsimim elementar
Menaxhimi në arsim
Shoqëria dhe problemet globale
Studime kulturologjike
Gazetari dhe mediume
Marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime evropiane
“Ne, që sot dhe në ditët në vazhdim, ofertën tonë universitare do t’ua prezantojmë të gjithë maturantëve të të gjitha shkollave të vendit, pastaj vëllezërve tanë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, si dhe maturantëve nga Komuna e Ulqinit. Aktivitetet tona promovuse do t’i përmbyllim me Ditën e Hapur, që do të mbahet më 28 prill 2015, në selinë qendrore të Universitetit në Tetovë. Oferta jonë akademike nuk mbaron këtu, kur dihet botërisht që USHT-ja e ka trasuar bukur mirë rrugën e ndërkombëtarizimit dhe është fituese e një mori të projekteve ndërkombëtare për shkëmbim dhe praktika studentore jashtë vendit. Tashmë është bërë praktikë, që secili student, para se të kryejë studimet, të paktën për një semestër të qëndrojë në ndonjë vend të Unionit Evropian apo SHBA, me shpenzime të mbuluara tërësisht, që si profesionist të mund të jetë konkurrues në ekonominë e tregut. Vizioni ynë ka qenë dhe do të mbetet që ky Universitetit të shndërrohet në një qendër universitare rajonale që ofron studime të standardeve të larta ndërkombëtare, në fushën e të gjitha shkencave, me fakultete dhe programe studimi që ofrojnë zgjedhje të shumta, ku mësimi zhvillohet në gjuhë shqipe, maqedonase dhe angleze, me staf të kualifikuar dhe të motivuar për veprimtari mësimore-shkencore dhe me studentë, që shprehin diversitetin kulturor, jo vetëm nga vendin ynë, por edhe nga vendet tjera” shtoi Ameti duke siguruar matuyrantët që përzgjedhin USHT-në për të kryer studimet e tyre dhe duke I siguruar se USHT do të jetë gjithmonë në shërbimin Tuaj dhe të shoqërisë.
