Botë

25-vjetori i çlirimit të Kosovës, Osmani priti ish-kryeministrin britanik, Bler

10.06.2024 14:14

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka pritur ish-kryeministrin britanik...

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka pritur ish-kryeministrin britanik, Toni Bler, ndaj të cilit ka shprehur falënderim për “shpëtimin nga shfarosja”. Me forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, tha Osmani, sipas së cilës vendimi i atëhershëm për intervenim ishte i duhur dhe se për këtë, mirënjohës është i gjithë populli i Kosovës. 
 
“Në vitin ’99 roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar, ndaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, si dhe hero i lirisë e demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe gjithë përkrahjen që ia keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 
 
Ndërsa ish-kryeministri, Toni Bler, tha se është i nderuar që ndodhet në Kosovë dhe shtoi se mezi pret që ta shohë Kosovën në “familjen e kombeve”.
 
“Është emocion i madh për mua të jem sërish në Kosovë. Dua të falënderoj popullin e Kosovës për përcaktimin e tyre 25 vite më parë dhe për vendosmërinë e tyre të palëkundur që ta shohin të mirën, çlirimin e para 25 viteve. Atëherë isha i bindur që ishte gjëja e bindur për ta bërë dhe vazhdoj ta kem këtë bindje dhe ashtu jam i bindur edhe sot që duhet të rrimë krah Kosovës, në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj.”, - theksoi ish-kryeministri i Britanisë, Toni Bler.
 
Ish-kryeministri britanik u prit edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa iu drejtua edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
 
GYLTENE SINANI