Botë

Zgjedhjet në Parlamentin Evropian, Von der Lejen mund të marrë mandat të dytë

10.06.2024 15:00

Në bazë të rezultateve të fundit pas zgjedhjeve disa ditore në 27 vende të BE-së...

Në bazë të rezultateve të fundit pas zgjedhjeve disa ditore në 27 vende të BE-së, për përbërjen e re të Parlamentit Evropian, e djathta arriti rezultat të mirë, por jo mjaftueshëm për mazhorancë. Von der Lejen pret një mandat të ri pasi Partia Popullore Evropiane fitoi 189 vende në PE. Vërtetë që ekstremet e së majtës dhe të djathtës fituan mbështetje, prandaj ky rezultat kërkon edhe më shumë përgjegjësi nga partitë qendrore, theksoi Von der Lejen.
 
“Së bashku me të tjerët do të ndërtojmë një bastion kundër ekstremeve të së majtës dhe të djathtës. Ne do t'i ndalojmë ata. Kjo është e sigurt. Ajo që qytetarët presin nga ne është që ta realizojmë. Kjo është ajo që jep Evropa, një Evropë e fortë.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. 
 
Edhe partia e ekstremit të djathtë të kryeministres italiane Meloni mori një përforcim evropian me fitoren e pritur dhe fitoi 29 për qind të votave.
 
“Unë e marr këtë si mesazhin e dikujt që thotë vazhdo dhe bëje, nëse është e mundur, me më shumë vendosmëri. Një shenjë nga e cila jam gati të përfitoj. Dhe jam krenare që po shkojmë në G7 dhe në Evropë me qeverinë më të fortë nga të gjitha.”, - u shpreh kryeministrja e Italisë dhe liderja e Partisë së krahut të djathtë, “Vëllezërit e Italisë”, Gjiorgjia Meloni.
 
Presidenti francez Makron dhe kancelari gjerman Sholc përjetuan debakël. Makroni shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend pasi pësoi një humbje nga partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.
 
“Ky është një vendim serioz dhe i vështirë, por mbi të gjitha është një akt besimi. Besimi tek ju, në aftësinë e popullit francez për të bërë zgjedhjen e duhur për veten dhe për brezat e ardhshëm.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron. 
 
“Pasi që rezultati e ka detyruar Makronin të kthehet në qendrat e votimit, unë i bëj thirrje popullit francez të vijë dhe të bashkohet me ne për të mbledhur shumicën në shërbim të kauzës së vetme që na udhëheq, Francën.”, - theksoi presidentja e Partisë Kombëtare të krahut të djathtë, Marine Le Pen. 
 
Kryeministri belg De Kro njoftoi dorëheqjen e tij pas rezultatit të keq. Në një fjalim emocionues duke pranuar humbjen, ai falënderoi mbështetësit.
 
“Dua të falënderoj nga zemra të gjithë vullnetarët dhe të gjithë kandidatët. Kjo ishte një fushatë veçanërisht intensive nga thellësia e zemrës sime. Faleminderit të gjithëve që ndihmuan.”, - u shpreh kryeministri i Belgjikës, Alexandër de Kro.
 
Në përbërjen e re parlamentare në parlamentin prej 720 anëtarëve, socialdemokratët fituan 133 vende, liberalët 82, konservatorët 70, Identiteti dhe demokracia 60 dhe të Gjelbrit 53 vende.
 
LEUNORA KALIQI