Vizita e Thaçit në Beograd, “tërbohet” opinioni në Serbi, kërkohet arrestimi i tij
Lajmi se zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta vizitojë Beogradin në fund të prillit nuk është pritur mirë nga opinioni publik në Serbi...

Lajmi se zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta vizitojë Beogradin në fund të prillit nuk është pritur mirë nga opinioni publik në Serbi, madje në komentet e shumta në mediat serbe ata kërkojnë arrestimin e Thaçit.
Vizita e mundshme e Thaçit në kryeqytetin serb vjen pas vizitës zyrtare të homologut të tij, Ivica Daçiç, në Prishtinë, në konferencën “Western Balkans 6”, ku morën pjesë ministrat e jashtëm dhe të transportit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Mediat dhe qytetarët serbë kanë reaguar ashpër dhe me mosbesim total ndaj këtij lajmi.
Në portalin e mediumit të njohur beogradas, “B92”, tashmë dhjetëra qytetarë serbë kanë dërguar komente, ku kërkojnë arrestimin e ish liderit politik të UÇK-së, për të cilin shteti serb kishte lëshuar fletë-arrest në vitin 1999.
“Ja rasti për ta arrestuar atë në bazë të fletëarrestit”; “A është kjo e mundur!?; Kjo qeveri e ka humbur kompasin tërësisht”; “Ja edhe rasti ideal që krimineli i luftës, Hashim Thaçi, i njohur si komandant “Gjarpëri”, të arrestohet dhe të sillet para drejtësisë”; “Ky do të ishte poshtërimi më i madh që mund t’i bëjmë vetes”; “Ky është përfundimisht fundi i Serbisë”; Përshëndetje nga Kosova”; “Nëse kjo është e vërtetë, kam vetëm një pyetje: A jeni ju normal?; “Dërgojeni edhe në Skadarli për të shijuar muzikën e gjallë”.
Këto ishim vetëm disa nga reagimet nga opinioni serb ndaj vizitës së mundshme të zëvendëskryeministrit Thaçi në Beograd.
Por, analistët nga ana tjetër vlerësojnë se kjo vizitë mund të ndihmonte dialogun dhe shtensionimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
ERSAN PAJAZITI
