Maqedoni

Përfundon viti shkollor për shkollat e mesme, maturantët në “ethet” e provimeve

10.06.2024 16:16

Përfundon viti shkollor 2023-2024 për nxënësit e shkollave të mesme...

Përfundon viti shkollor 2023-2024 për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa nxënësit e shkollave fillore konform vendimit vjetor për organizimin e mësimit, deri në pushimin vjetor kanë edhe një javë mësim.
 
Edhe pse fillimisht përfundimi i vitit shkollor më 17 qershor ishte caktuar për të gjithë nxënësit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës aprovoi kërkesën e Unionit të gjimnazistëve. 
 
“Ligji për arsimin bazë specifikon numrin e saktë të ditëve të punës (180) në arsimin bazë. Ligji për Arsimin e Mesëm nuk përcakton detyrim ligjor për numrin e saktë të ditëve të punës. Sindikata e gjimnazistëve ka kërkuar që përveç pushimeve pranverore, arsimi i mesëm të përfundojë në 10 qershor, për shkak të procedurave administrative të regjistrimit të fëmijëve në arsimin e lartë. Këtë e ka lejuar ligji dhe ne kemi vepruar këtu.”, njoftojnë nga MASh-i. 
 
Ndërkohë maturantët në dy të shtunat e kaluara i janë nënshtruar dy provimeve eksterne nga provimi shtetëror i maturës dhe rezultatet duhet t’i presin më së voni deri më 8 korrik. Autoritetet vështirë po përballen me kopjimet. Në të dy testet eksterne janë ndarë pyetje dhe përgjigje përmes grupeve në Viber. Nga Qendra Shtetërore e Provimeve thonë se këtë radhë rregullat kanë qenë më strikte dhe dënime do të ketë edhe për arsimtarët - testator.
 
“Gjithkund ku vëzhguesit tanë kanë intervenuar dhe kanë përjashtuar nxënës me telefona mobil, në të njëjtën kohë i kanë përjashtuar edhe arsimtarët-testatorë, për shkak se vlerësojmë se arsimtarët testatorë të cilë duhet të përkujdesen për 15 nxënës duhet të jenë mjaft të vëmendshëm dhe nuk mund të lejojnë që një nxënës të përdorë celular dhe ata mos të vërejnë.”, - deklaroi drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajllovska. 
 
Nga ana tjetër, gjysmë-maturantët do të regjistrohen në arsimin e mesëm këtë muaj. Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve në periudhën e regjistrimit të qershorit do të bëhet në dy regjistrime. Sipas konkursit për regjistrim në arsimin e mesëm, regjistrimi i parë elektronik do të bëhet nga data 20 deri më 25 qershor dhe i dyti më 1 dhe 2 korrik.
 
ERSAN PAJAZITI