Botë
Mitrovicë, arrestohen 9 shtetas nga Siria
15.04.2015 14:47
Policia e Kosovës në jug të Mitrovicës ka arrestuar pronarin e një shtëpie dhe ka shoqëruar në stacionin policor nëntë persona të tjerë, të cilët kanë qenë duke banuar aty...

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar se gjatë bastisjes së shtëpisë është gjetur një armë dhe municion.
“Gjatë bastisjes, policia ka hasur në nëntë persona kryesisht shtetas të huaj. Këta persona nuk kanë të bëjnë me veprën “armëmbajtje pa leje”. Konsiderohen si shtetas të huaj për qëndrim ilegal në territorin e republikës. Ata janë shoqëruar në stacionin policor dhe tani merret Njësia për Emigracion me ta”- ka thënë Zahiti.
Personat e shoqëruar në polici, sipas Zahitit, janë të gjinisë mashkullore dhe femërore dhe, sipas tij, të njëjtit flasin gjuhën arabe.
“Nuk e dimë se nga cili shtet janë, ata flasin në gjuhën arabe dhe nuk mund ta verifikojmë me saktësi identitetin e tyre”- ka thënë zëdhënësi Zahiti.
Policia në jug të Mitrovicës ka hedhur poshtë dyshimet se të njëjtit kanë të bëjnë më vepra terroriste.
GYLTENE SINANI
