Botë

25-vjetori i çlirimit, Rama me nderime të larta për presidentin Rugova

10.06.2024 17:17

Kryeministri Edi Rama ishte në Kosovë për të kremtuar 25-vjetorin e çlirimit....

Kryeministri Edi Rama ishte në Kosovë për të kremtuar 25-vjetorin e çlirimit. Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Rama foli me nderime të larta për presidentin e parë të Kosovës.
 
“Njeriu që ka shënjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë, sa të rrallë aq edhe të domosdoshme. Sintezë e pashoqe mes revolucionarit, me urtësinë  e burrështetasit dhe burrështetasit me idealizmin e revolucionarit. Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike. Ai ishte dhe mbetet me atipiku i politikanëve shqiptarë. I papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm deri në fund për mënyrën se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vet.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Pavarësisht takimit të munguar me homologun e tij, Rama sërish ia dërgoi një mesazh Albin Kurtit, të cilit i kujtoi se Kosova nuk mund të bëjë pa aleatët e saj, si ShBA-ja e BE-ja.
 
“Udhëheqja në kërkim të paqes së plotë matet nga mjeshtëria për të ndërtuar metër pas metri urat e bashkëpunimit. Ibrahim Rugova na kujton që sado të mëdhenj dhe të mbështetur të jemi nga njerëzit tanë, mbetemi një popull i vogël në dy shtete të vegjël, që siç thoni ju në Kosovë “nuk kemi qare” pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Sërish duke i kujtuar Rugovën, Rama i kërkoi Albin Kurti të ulet në tryezë me ndërkombëtarët për të shpëtuar nga kurthi serb dhe dëshira për politikë të brendshme. 
 
Para konferencës, kryeministri Rama u prit nga presidentja, Vjosa Osmani, me të cilën zhvilloi një takim kokë në kokë, ndërsa nga vizita nuk është parashikuar asnjë takim me homologun, Albin Kurti.
 
LULJETA NDOKA