Maqedoni
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, Halili: akuzat kundër nesh nuk kanë bazë
15.04.2015 15:23
Anëtarët e rinj dhe të vjetër të Komisionit Antikorrupsion dhanë deklaratë solemne para kryeparlamentarit Veljanovski...

Anëtarët e rinj dhe të vjetër të Komisionit Antikorrupsion dhanë deklaratë solemne para kryeparlamentarit Veljanovski se me nder do ta kryejnë detyrën e tyre në luftën kundër korrupsionit.
Përzgjedhja e re e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit vjen në një kohë kur anëtarët e vjetër të tij përballen me kritika dhe akuza se nuk kanë bërë asgjë për të luftuar korrupsionit.
Anëtari i komisionit, Seid Halili, i quan të pabaza këto akuza, sidomos ato se komisioni nuk ka hapur apo mbyllur me sukses asnjë rast të korrupsionit ku është i përfshirë ndonjë zyrtar i lartë.
Ai thotë se komisioni ka shqyrtuar edhe lëndë për punën e funksionarëve të lartë pa precizuar ndonjë rast konkret.
“Nuk është e vërtetë ajo, të gjitha procedurat që janë ngritur gjatë asaj kohe sa kam qenë unë në përbërjen e pare, të gjitha lëndët që i kemi punuar ne u janë dedikuar sigurisht edhe funksionarëve të qeverisë aktuale, meqë qeveria aktuale është më se dhjetë vjet, ashtu që nuk mban ajo që ju thoni. Korrupsioni si fenomen është gjithandej i përhapur. Dëgjuat sikur thanë edhe të tjerët se korrupsioni është një fenomen i cili nuk do të ndalet, por ne duhet gjithmonë të jemi syhapur, ta luftojmë atë, jo ta çrrënjosim, por ta biem në një nivel ku nuk do të ketë efekte negative në mbarëvajtjen apo zhvillimin e shtetit”- deklaroi anëtari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Seid Halili.
Në pyetjen se pse Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit si institucion nuk është prononcuar rreth aferës së përgjimeve, Halili arsyeton me faktin se komisioni ka qenë në fund të mandatit.
“Ne nuk do të mund të prononcohemi për aferat që i ka ngritur opozita maqedonase në këtë moment. Do të thosha dhe një moment tjetër se në momentin kur kanë shpërthyer të ashtuquajturat “bomba”, siç i kanë emëruar ato që i paraqesin, ne kemi qenë në fund të mandatit tonë, ashtu që nuk kam ndonjë qëndrim, nuk do të mund të paragjykoja apo të jap ndonjë mëndim për këtë aferë”- tha anëtari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Seid Halili.
Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit prej sot fillon punën në përbërjen e re.
Nga shtatë anëtarë gjithsej, vetëm dy mbeten nga përbërja e kaluar dhe atë dy anëtarët shqiptarë, Seidi Halili dhe Farije Aliu.
FLORIJE KAMBERI
