Botë

Samiti i Ballkanit Perëndimor 2024, Kurti: Kemi probleme me Serbinë, jo me serbët

11.06.2024 13:51

Kosova ka probleme me Serbinë, jo me serbët, ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti...

Kosova ka probleme me Serbinë, jo me serbët, ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti, në Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans 2024”, që po mbahet në Prishtinë. Sipas Kurtit, Ballkani Perëndimor edhe përkundër dallimeve mund të ketë perspektivë evropiane. 
 
“E duam integrimin e serbëve në Kosovë. Kemi 4 për qind të popullatës serbe këtu, por kemi edhe pakica të tjera që duam t’i respektojmë. Duam të bashkëpunojmë me komunitetet, të krijojmë republikë demokratike në bazë të qytetarëve. Nuk mendoj se duhet të jetë ndarje etnike. Problemi nuk është me popullin e fqinjit verior, por me qeverinë e Serbisë. Aspak me serbët e Kosovës, që po integrohen.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Robertson: Rusia, rrezik për Ballkanin Perëndimor
 
I pranishëm në këtë samit në Prishtinë ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson, bëri thirrje për vëmendje të veprimeve të Rusisë në raport me Ballkanin Perëndimor.
 
“Samiti i Uashingtonit duhet gjithashtu të përballet me faktin se derisa tensioni po fokusohet në atë çfarë po bën Rusia në Ukrainë, gjithashtu duhet të shohë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin Perëndimor. Keqinformimi, destabilizimi, shkatërrimi, të gjitha këto janë instrumente të Rusisë.”, - theksoi ish-sekretari i NATO-s, Xhorxh Robertson.
 
Pjesë e konferencës ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Xhefri Hovenier, i cili tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke. Hovenier theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
 
GYLTENE SINANI