Botë

Shqipëri, vula e partisë i mbetet Berishës

11.06.2024 14:41

Pas 2 vitesh e gjysmë luftë juridike me kuvendin e përplasje në seanca gjyqësore, më në fund ka një vendim për Partinë Demokratike....

Pas 2 vitesh e gjysmë luftë juridike me kuvendin e përplasje në seanca gjyqësore, më në fund ka një vendim për Partinë Demokratike. Ajo do të drejtohet nga grupi i rithemelimit i Sali Berishës, “non grata” nga ShBA-ja dhe Britania dhe në arrest shtëpie nën akuzë për korrupsion nga SPAK-u.
 
Gjykata e Apelit vendosi mospranimin e ankimimit të bërë nga grupi i Lulzim Bashës, duke lënë në fuqi vendimin e marrë më 25 marsin e vitit 2022 nga gjyqtari, Agron Zhukri, i cili regjistroi ndryshimet statutore në Partinë Demokratike të miratuara në Kuvendin e Sali Berishës më 11 dhjetorin e vitit 2021.
 
Vendimi u prit me entuziazëm mes anëtarët e PD-së së Berishës, të cilët ishin të shumtë në seancën gjyqësore, e cila zgjati më shumë se dy orë.
 
Më 11 dhjetor të vitit 2021, Sali Berisha për t’iu përgjigjur përjashtimit nga grupi parlamentar që Lulzim Basha i bëri muaj më parë pasi u shpall “non grata”, mbajti një Kuvend Kombëtar  që ndryshoi njëherë e përgjithmonë fatet e partisë Demokratike. Në 25 mars të vitit 2022, Gjykata e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e Rithemelimit për të regjistruar këto ndryshime, por vendimi u apelua nga PD-ja e Bashës. Një vit më vonë, Apeli vendosi ta kthente në shkallë të parë, vendim të cilin e rrëzoi Gjykata e Lartë. Në seancën e 27 dhjetorit të kaluar, Gjykata e Lartë vendosi të detyrojë Apelin, që të zgjidhë përfundimisht se cila pjesë, ajo e Bashës apo e Berishës gëzon të drejtën të quhet Partia Demokratike.
 
LULJETA NDOKA