Maqedoni
Të drejtat e njeriut në vitin 2023, Komiteti i Helsinkit: S’ka progres të dukshëm
11.06.2024 14:58
Në raportin vjetor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut publikoi gjetjet kryesore nga fushat në të cilat operon...

Në raportin vjetor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut publikoi gjetjet kryesore nga fushat në të cilat operon. Sipas raportit në fjalë nuk ka progres të dukshëm në sistemin ligjor dhe institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, konstaton Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Raportin Vjetor për Gjendjen e të Drejtave të Njeriut në vitin 2023.
Në kuadër të aktiviteteve të rregullta, Komiteti i Helsinkit ka realizuar gjithsej 10 vizita në institucionet e vuajtjes së dënimit në Idrizovë, Shtip, Prilep dhe Burgun e Kumanovës, ku janë vërejtur mangësitë e sistemit të burgjeve dhe problemet me të cilat ballafaqohen personat e dënuar.
“Personat e dënuar nuk kanë qasje adekuate në kujdesin shëndetësor, kushtet materiale të jetesës janë të këqija, kurse programet e risocializimit, kushtet për zbatimin e tyre dhe ndihma pas dënimit janë ende të pamjaftueshme dhe të pazbatueshme. Kujdesi shëndetësor në burgun e Idrizovës ofrohet nga 1 mjek dhe 2 infermiere, të cilët vizitojnë institucionin e mbi 1.000 të dënuarve, vetëm disa orë në ditë. Personat e dënuar na informojnë rregullisht për korrupsionin në burgje, por nuk duan t'i raportojnë zyrtarisht këto raste. Në vitin 2023, ndihma juridike falas iu është ofruar 90 personave të dënuar dhe personave të tjerë për shkak të përdorimit të tepruar të forcës nga punonjësit e policisë.”, thuhet në raportin vjetor i Komitetit të Helsinkut.
Sipas raportit në fjalë, arsyet më të zakonshme për të cilat personat e dënuar kanë kërkuar këshilla ligjore kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, kushtet materiale, takimin me fëmijët dhe partnerin jashtëmartesor, cilësinë e ushqimit dhe ujit, të drejtën e lirimit me kusht, transferimin në një institucion tjetër të vuajtjes së dënimit dhe ushtrimin e të drejtave të vizitës nga Helsinki.
Komiteti i Helsinkit ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të RMV për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim dhe Ligjit për marrëdhëniet e punës, lidhur me realizimin e Marrëveshjes me “Behtel-Enka” për ndërtimin e katër akseve të autostradave të korridoreve 8 dhe 10D.
FITIM KRYEZIU
