Maqedoni

Vala e të nxehtit kaplon vendin, fillon zbatimi i rekomandimeve të qeverisë

11.06.2024 15:37

Gjevgjelia, Bogdanca, Vallandova dhe Dojrani janë në fazë portokalli të të nxehtit....

Gjevgjelia, Bogdanca, Vallandova dhe Dojrani janë në fazë portokalli të të nxehtit. Qeveria rekomandon në këto qytete, grupet më të prekura të popullsisë,  gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, të lirohen nga detyrimet e punës. Në kopshte nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Po ashtu personat që vuajnë nga sëmundjet kronike duhet të kenë më shumë kujdes gjatë kësaj periudhe kur temperaturat kanë arritur në 40 gradë, thotë dietologia, Valbona Kadriu. Thekson se duhet të hidratohen më shumë dhe të evitojnë daljen në ambiente të hapura, sepse rrezikojnë shëndetin e tyre.
 
Në temperaturat e larta dietologët rekomandojnë që të kemi më shumë kujdes për shëndetin tonë. Të evitojmë ushqimet e proceduara, si dhe të konsumojmë sa më shumë lëngje, pemë dhe perime.
 
“Tek personat që vuajnë nga ndonjë sëmundje veç më duhet të kenë kujdes nga këto nutrientë, është mirë që gjatë temperaturave të larta, kujdesi të jetë i dyfishtë dhe nga ana tjetër, nëse konsumohen produkte më pak të proceduara, siç janë frutat ose perimet, përveç se përmbajnë më pak yndyrë, në të njëjtën kohë ato edhe  përmbajnë më shumë ujë, sasi më të lartë të ujit dhe ne në rast se gjatë ditës nuk kemi arritur të konsumojmë mjaftueshëm ujë, hidratimi mund të plotësohet nga këto produkte.”, - theksoi dietologia, Valbona Kadriu.
 
Qytetarët thonë se në këtë të nxehtë dalin për t’i kryer obligimet e tyre.
 
“Pak si rëndë, por po, duhet të dalim patjetër. Duhet të shkoj deri në ambulantë të marr një rezultat, po në kohë.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Po, në kohë e marr terapinë, ruhemi nën hije në këtë nxehtë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Nga qeveria po ashtu i rikujtojnë punëdhënësit për punëtorët e ekspozuar jashtë, detyrimin për respektimin e rregulloreve ligjore në këtë fushë, pasi që mund të paraqesin një rrezik shtesë për shëndetin e tyre. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI