Maqedoni
“Kreativiteti dhe etika gazetareske”, ShGM-ja dhe UNDP-ja ndanë çmimet
11.06.2024 16:16
ShGM-ja dhe UNDP-ja ndanë tre çmime të para dhe një mirënjohje për gazetarët...

ShGM-ja dhe UNDP-ja ndanë tre çmime të para dhe një mirënjohje për gazetarët, të cilët gjatë vitit të kaluar kanë punuar në produkte mediatike që kanë analizuar dezinformatat, pavarësisht burimit të tyre me fokus në barazinë gjinore. Fituesit e çmimeve theksuan se këto çmime janë motiv shtesë për punën e tyre pavarësisht sfidave me të cilat ballafaqohen.
“Nga vetë fakti që jemi si portal i vetëm dhe realisht këto tema ende konsiderohen si tabu, përballemi me sfida dhe çmimet e tilla na shërbejnë si motivim që ne të vazhdojmë me punën tonë.”, - theksoi fituesi i çmimit të dytë, Ardit Ramadani.
“Besoj që do të kemi më shumë storie të këtilla në të ardhmen, sepse në këtë mënyrë demokratizohet shoqëria. Kjo punë nuk është vetëm e imja, është një bashkëpunim i ngushtë me kameramanin dhe video-dizajnuesin e produksionit “360 shkallë”, të cilët i falënderoj për mundësinë dhe mbështetjen.”, - u shpreh fituesi i çmimit të parë, Mihajllo Milloshevski.
Organizatorët thanë se ngjarjet e tilla janë nxitje për të ngjallur shpirtin kreativ të gazetarëve, e në veçanti të të rinjve.
“Ndarja e sotme e çmimeve paraqet një pasqyrë të përkushtimit tonë të përbashkët në luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Besoj se kjo ishte shumë e rëndësishme në veçanti në periudhë parazgjedhore.”, - deklaroi përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Gregorian.
“Ta nxisim kreativitetin, ta nxisim mendimin e lirë, ta nxisim mendimin, i cili e liron shpirtin e lirë të shoqërisë. Shpresojmë se këtë do ta bëjmë fillimisht në mes të rinjve, ndërsa kjo më pas të pasohet tek shoqëria e tërë.”, - theksoi kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski.
Çmimet vjetore të gazetarisë në temë “Kreativiteti dhe etika gazetareske” kanë për qëllim të nxisin raportimin cilësor dhe etik gazetaresk me fokus në produktet mediatike, të cilat analizojnë dezinformatat dhe ndikimin e tyre në shoqëri me theks në tema që prekin barazinë gjinore.
LEUNORA KALIQI
