Botë
Berlin, Konferencë për rindërtimin e Ukrainës
11.06.2024 16:58
Vazhdon beteja midis forcave ruse dhe ukrainase....

Vazhdon beteja midis forcave ruse dhe ukrainase. Së paku 10 persona janë plagosur nga sulmet ruse në Harkiv. Kremlini pretendon se po shtrin kontrollin në fshatrat e Donjeckut. Presidenti ukrainas Zelenski, në konferencën kushtuar rimëkëmbjes së Ukrainës, organizuar në Gjermani, tha se Rusia deri më tani ka shkatërruar gjysmën e kapacitetit energjetik të Ukrainës. Falënderoi federatën gjermane për dërgesat e sistemeve mbrojtëse kundërajrore.
“Ky nuk është fundi i terrorit. Për sa kohë që Rusia nuk do të privohet nga mundësia për të terrorizuar Ukrainën, Putini nuk do të ketë interes real në përpjekjen për të gjetur një paqe të drejtë dhe iluzioni i tij do të vazhdojë që Ukraina mund të fshihet duke shkatërruar gjithçka me bomba dhe raketa.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Nikoqiri i konferencës, kancelari Olaf Sholc, theksoi se rimëkëmbja e Ukrainës është përfitim për të gjithë. Kievi duhet të ndihmohet dhe të jetë aty ku e ka vendin në familjen evropiane, rrugë të cilën e kanë zgjedhur vetë ukrainasit, pohoi Sholc.
“Unë do të doja t’i bëja një kërkesë të sinqertë të gjithëve këtu: Ju lutem mbështesni iniciativën tonë për të forcuar sa më shumë sisteme për mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Angazhimi gjerman në këtë vend kurrë nuk ka qenë më i fortë se sot. Është rritur ndjeshëm në krahasim me kohën e paraluftës. Ukraina i takon Evropës dhe e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian.”, - theksoi kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë rreth 2.000 përfaqësues nga 60 vende. Konferenca e Berlinit është konferenca e tretë e Ukrainës pas atyre në Lugano dhe Londër dhe e para që mbahet në një vend anëtar të BE-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
