Maqedoni
Kriza politike, Ahmeti: nuk guxojmë të devijojmë nga rruga evropiane
15.04.2015 16:16
BDI mirëpret takimet fillestare për tejkalim të krizës që po mbahen në Bruksel dhe konsideron se autoritetet evropiane duhet që të paracaktojnë agjendën e bisedimeve...

BDI është pjesë konstruktive e zgjidhjes së krizës, duke vënë në vend të parë interesat e elektoratit, të qytetarëve dhe të vendit.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konsideron se vendi nuk guxon të devijojë nga rruga euroatlantike, por as të tensionohen marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfqinjësore.
Dështimi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE gjithashtu mund të cenojë marrëdhëniet midis dy komuniteteve shumicë.
Këtë qëndrim Ahmeti e ritheksoi edhe në takimin me ambasadorin e OSBE-së në Maqedoni, Ralf Bret.
Duke komentuar aferën e përgjimeve masive, Ahmeti theksoi që institucionet e vendit duhet të dëshmojnë kapacitete institucionale demokratike për t’u përballuar me situatën. Vërtetësia e përgjimeve duhet të përcaktohet nga gjykata, por njëkohësisht edhe duhet të vendoset dialogu politik midis partive politike në vend.
Të dyja këto procese duhet të lehtësohen dhe mbikëqyren nga Brukseli zyrtar me pjesëmarrje aktive jo vetëm të Parlamentit Evropian, por edhe të Komisionit Evropian, ka theksuar Ahmeti.
Lideri i BDI-së ka komentuar në takimin me ambasadorin Breht edhe qëndrimin e partisë së tij për zgjerimin e skenës politike shqiptare me subjekte të reja.
Vendimi i Kongresit Tematik e obligon BDI-në të punojë në përputhje me rezolutën e miratuar, e cila përcakton që tre parti politike shqiptare janë po aq të dëmshme sa të pasurit e vetëm një partie politike.
Delegatët e BDI-së kanë obliguar organet partiake që ta fuqizojnë dhe kapitalizojnë votën shqiptare duke e përqendruar atë, e jo duke e copëtuar atë, ka theksuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin me ambasadorin e OSBE-së, Ralf Breht.
