Botë

Samiti i paqes për Ukrainën, bie numri i vendeve pjesëmarrëse, SHBA-ja i dërgon një tjetër “Patriot”

12.06.2024 12:48

Shtetet e Bashkuara do t'i ofrojnë Ukrainës një sistem shtesë raketor Patriot....

Shtetet e Bashkuara do t'i ofrojnë Ukrainës një sistem shtesë raketor Patriot.
 
Vendimi i miratuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, vjen si përgjigje ndaj kërkesës urgjente të Ukrainës për të forcuar mbrojtjen ajrore kundër sulmeve nga Rusia.
 
Ky do të jetë sistemi i dytë Patriot i dërguar nga Uashingtoni në Kiev, së bashku me një furnizim rutinë me raketa.
 
Mbrëmjen e kaluar, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi një raketë hipersonike ruse Kh-47M2 Kinzhal, si dhe dhjetëra dronë.
 
Administrata ushtarake rajonale e Kievit thotë se të gjitha objektivat e armikut janë shkatërruar dhe nuk janë raportuar dëme në kryeqytet.
 
Ndërkohë mediat raportojnë se numri i vendeve dhe organizatave që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e paqes për Ukrainën, i planifikuar më 15 dhe 16 qershor në Zvicër, ka rënë nga 93 në 78.
 
Motivet janë ende të paqarta, teksa më herët, presidenti Zelensky kërkoi që liderët e SHBA-së dhe Kinës të ishin të pranishëm në këtë takim.